Gjobat për përdorimin e celularëve në makinë do të jenë nga 5-15 mijë lekë të rinj. Kjo është bërë e ditur nga eksperti i Policisë Rrugore, Ervin Dervishi, i cili deklaroi në “Report Tv”, se propozimet për këto gjoba vijnë pas një studimi ku është konstatuar se përdoruesi i telefonit është 4 herë i rrezikuar vetë dhe gjithashtu përbën një rrezik akoma më të madh për kalimtarin dhe drejtuesit e tjerë të mjeteve.

Pjesa më madhe e aksidenteve me pasoja të rënda për kalimtarët, sipas Dervishit, vijnë nga drejtues që përdorin vazhdimisht celularët duke drejtuar mjetin.

Për këtë arsye kemi propozuar me ndryshimet e reja që po i bëhen Kodit Rrugor, ashpërsimin e masave ashtu siç kemi bërë dhe për rripin e sigurimit, duke rritur gjobën nga 5 deri 15 mijë lekë të reja. Gjithashtu kemi konstatuar se, aplikimi i këtij niveli gjobe për shkelësit e rripit të sigurimit ka bërë që sot, kemi një situatë shumë herë më të mirë ku 90% e drejtuesve përdorin rripin e sigurimit, nga 30% që ka qenë dikur”, tha Dervishi.