Shumica e njerëzve përdorin më shumë detergjent nga sa duhet gjatë larjes së rrobave, duke menduar se sasia më e madhe sjell pastërti më të mirë. Sipas ekspertëve, kjo është një praktikë e gabuar që shpesh jep efekt të kundërt.

Teprica e detergjentit krijon shumë shkumë, e cila vështirëson shpëlarjen dhe lë mbetje në fijet e tekstilit. Si pasojë, rrobat mund të dalin me erë të pakëndshme, të duken të rënda dhe të kenë njolla, ndërsa në afatgjatë dëmtohet edhe vetë lavatriçja.

Për një larje mesatare prej 4–5 kilogramësh, rekomandohet përdorimi i 50–80 ml detergjent i lëngshëm, ndërsa sasia mund të ulet për rroba pak të ndotura ose të rritet lehtë në raste të veçanta, si ndotje e madhe apo ujë i fortë.

Ekspertët theksojnë se gabimi më i zakonshëm është hedhja e detergjentit pa matje, “me sy”, çka çon në përdorim të tepërt. Shenjat që tregojnë këtë problem përfshijnë praninë e shkumës pas larjes, mungesën e freskisë në rroba, njolla në tekstile dhe erë të pakëndshme në lavatriçe.

Një zgjidhje e thjeshtë për rezultate më të mira është të mos mbingarkohet makina larëse, duke i dhënë detergjentit dhe ujit hapësirën e nevojshme për të vepruar në mënyrë efikase.