13 gusht 2014 – Një kimikat që lidhet me shtimin e qelizave kancerogjene po përdoret nga miliona njerëz në të gjithë botën në një pastë dhëmbësh çdo mëngjes. Kompania prodhuese ‘Colgate Total’ këmbëngul se triclosan-i, i cili përdoret për të parandaluar sëmundje të mishrave të dhëmbëve është i sigurt të përdoret, pasi është aprovuar në vitin 1997 nga Administrata për Ushqimin dhe Medikamentet në Amerikë.
Por dokumentet, duke përfshirë analizën toksikologjike të përdorura nga FDA-ja për të miratuar pastën e dhëmbëve, u bënë publike këtë vit pas një vendimi gjyqësor dhe nxjerrin në pah të vërtetën që agjencia për aprovimin e pastës së dhëmbëve ishte mbështetur mbi të dhënat shkencore të përgatitura dhe servirura nga vetë kompania prodhuese.
Në faqen 35 të raportit, thuhet se FDA-ja ishte e shqetësuar mbi efektin e triclosan-it, i cili mund të rriste rrezikun e kancerit te përdoruesit, por Colgate mbështeste idenë se kimikati ishte problematik vetëm në doza të mëdha. Gjithsesi evidencat studimore të asaj kohe, sikurse dhe ato të kohëve të fundit thonë se kimikati është problematik te kafshët dhe shkakton probleme që përfshijnë lindje të parakohshme dhe pengon zhvillimin e kockave.
Ndërsa në vitin 2010, një studim e lidhi triclosan-in (i cili përdoret për të reduktuar kontaminimin nga bakteret), me uljen e fertilitetit te minjtë, ndërsa një studim i mëvonshëm në vitin 2013, e lidhi atë me reduktimin e prodhimit të spermës.
Në vitin 2003, një studim gjeti triclosan në urinën e 75% të 2517 amerikanëve, duke përfshirë fëmijë që u testuan nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Pavarësisht evidencave, ku përfshihen faqe të tëra në raport që tregojnë se si analizat shfaqin keqformime kockore që në fetus, Colgate i rrëzon ato duke thënë se rezultatet nuk duhen marrë për bazë sepse testet ishin bërë te kafshët.
“Më pëlqen të besoj se është i sigurt, por ne kemi studime të tëra të kryera me kafshë që na tregojnë të kundërtën. Mendoj se po rrezikojmë”, thotë doktor Thomas Zoeller, i cili studion prej vitesh këtë çështje.
Sipas kompanisë Colgate, 35 faqet e raportit nuk provojnë se kimikati është i rrezikshëm për njerëzit dhe se siguria e tij provohet nga më shumë se 80 studime klinike në rreth 19 mijë persona.
Gjithashtu kompania Colgate thotë se nuk ka plane për të ndryshuar formulën e ‘Colgate Total’. Nga ana tjetër në faqen e saj të internetit, FDA-ja thotë se triclosan-i nuk njihet si i rrezikshëm për njerëzit, por rezultatet e kërkimeve mbi kafshët japin arsye të mjaftueshme për të ribërë analizat dhe testet e nevojshme për t’u siguruar.
Në vijim të këtij shqetësimi, Minnesota e ndaloi përdorimin e këtij kimikati në maj të këtij viti. Dy prodhues të mëdhenj ‘Avon’ dhe ‘Johnson & Johnson’ gjithashtu kanë bërë të ditura planet e tyre për ta nxjerrë këtë kimikat nga formula e produkteve të tyre.
Në vitin 2010, Bashkimi Europian e ndaloi triclosan-in nga çdo material që mund të jetë në kontakt me ushqimin.
/shekulli/





