Policia e Korçës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta. Dy persona u arrestuan në flagrancë, banesa e njërit prej të cilit përdorej për të shpërndarë heroinë.
Në kuadër të operacionit të koduar “BANESA”, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Armando Hysenllari, 30 vjeç dhe Rando Duka, 26 vjeç, të dy banues në Korçë.
“Arrestimi i tyre u bë pasi, nga informacione të siguruara në rrugë operative se shtetasi Armando Hysenllari shpërndante dhe posedonte në banesën e tij në lagjen nr. 5 lëndë narkotike të llojit heroinë, u organizuan shërbimet dhe falë një ndërhyrjeje efikase, si edhe gjatë kontrollit trupor të këtij shtetasi, iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 13 doza me mbështjellje alumini, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë”, sqaron policia.
Në banesën e tij, u gjet dhe shtetasi Rando Duka i dyshuar si bashkëpunëtor me Hysenllarin.





