Përdorimi i telefonit teksa drejtonte mjetin ka fundosur një 21-vjeçar në Durrës që po udhëtonte në rrugën “Vëllazërimi”.

Mësohet se efektivët e policisë kanë konstatuar se shoferi nuk kishte leje drejtimi dhe pas lëvizjeve të dyshimta për të fshehur çantën është zbuluar se në të fshihte lëndë narkotike dhe një shkop metalik.

Burimet bëjnë me dije se në pranga ka përfunduar dhe një person tjetër i cili është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë, kanë konstatuar në rrugën “Vëllazërimi”, Durrës, drejtuesin e një mjeti që po përdorte aparatin celular.

Pas ndalimit nga punonjësit e Policisë është konstatuar se drejtuesi nuk kishte leje drejtimi. Gjatë veprimeve nga punonjësit e Policisë, ky shtetas bënte lëvizje të dyshimta për të fshehur çantën e dorës.

Nisur nga ky fakt, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll fizik ndaj tij dhe në mjet, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një shkop metalik.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi K. H., 21 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. Ll., 23 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.