“Të shtohen korsitë për biçikleta në qytetin e Durrësit, e njëkohësisht të promovohet jeta e shëndetshme”, me këtë mesazh kanë zhvilluar aktivitetin e radhës Grupimi “Bycicle  Durrës”.

Ky grupim organizoi aktivitetin me temë: “Pedalojmë për jetën, lëvizim shëndetshëm”. Një pedalim me karakter ndërgjegjësues, duke motivuar një mënyrë sportive dhe njëkohësisht të shëndetshme të të jetuarit.

Një nga organizatorët e këtij grupimi, që numëron mbi 50 anëtarë, Geri Emiri, duke u ndalur te qëllimi i aktivitetit, e vë theksin te domosdoshmëria e shtimit të korsive të biçikletave në qytet, një kërkesë e vazhdueshme e tyre.

Në pedalimin, që startoi nga sheshi “Liria”, duke ndjekur itenerarin e përcaktuar, i cili do të përmbyllej në të njëjtën pikë morën pjesë dhjetra çiklistë të moshave të ndryshme.

Numri i lartë i vajzave pjesëmarrëse në këtë aktivitet sportiv, por edhe si anëtare të këtij grupimi është një tregues i rritjes së interesit për të zgjedhur këtë mënyrë të shëndetshme të të jetuarit, si dhe të një lëvizjeje pa kosto mjedisore dhe ekonomike.

Grupimi “Bycicle Durrës” e ka shtrirë veprimtarinë ndër vite, duke organizuar pedalime periodike dhe duke ndikuar në rritjen e përdoruesve të biçikletave në qytetin bregdetar.