Grupimi “Bicycle Durrës” në bashkëpunim me arkitektë dhe urbanistë të pavarur ka bërë të mundur hartimin e një guide për ndërtimin e infrastrukturës së biçikletave në qytetin e Durrësit. Hartimi i projektit sipas arkitektëve dhe urbanistëve është një risi për qytetin bregdetar.
“Studimi mbi korsitë e biçikletave është një risi për bashkinë pasi deri më tani nuk ka ndonjë projekt infrastrukturor ku përfshihen korsitë e biçikletave në qytet, pra është një gjë e re në projektet publike”, tregon arkitekti Suer Bedeni.
Guida ka analizuar mundësitë hapësinore të disa itinerareve kryesore në qytet ku mund të ndërhyhet duke ndërtuar korsi biçikletash të niveleve të ndryshme.
Për grupimin qytetar “Bicycle Durrës”, të cilët janë dashamirës dhe përdorues të biçikletës guida e dizajnit për infrastukturën çiklistike qytetase dhe ndërqytetase është një hap i madh që mund të sjellë uljen e aksidenteve dhe rasteve të vdekjeve.
“Është një hap gjigand për qytetin dhe dobitë që i sjellin, siç janë ato mjedisore, do kemi më pak trafik që do të thotë më pak kosto për qytetarët e si rrjedhojë më pak ndotje”, shprehet aktivisti për të drejtat e përdoruesve të biçikletës, Ogert Keçi.
Grupimi “Bicycle Durrës” tregon se guida është hartuar në kuadër të projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt”, që mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
Guida i është dorëzuar Bashkisë Durrës që të fillojë aplikimin në projektet publike infrastrukturore. Së bashku me të u dorëzua edhe peticioni me mbi 1000 firma të qytetarëve që kërkojnë marrjen parasysh të guidës çiklistike në investimet e ardhshme publike.
“Me këtë projekt-propozim është çdo gjë gati, tanimë bashkia duhet ta aplikojë që të bëhet realitet dhe qytetarët më në fund të kenë korsi”, përfundon Ogert Keçi.
“Bicycle Durrës” tregon se iniciativën për hartimin e një projekti e kanë marrë nga rastet e shumta të aksidenteve që kanë shkuar drejt humbjes së jetës.
Ndërkohë që arkitektët dhe urbanistët që kanë hartuar guidën çiklistike shprehen se vështirësitë nuk kanë munguar gjatë zhvillimit të punës.
“Kemi hasur jo pak vështirësi, si për shembull, gjendja ekzistuese e mobilitetit, hapësirat fizike, mbingarkimi i qytetit me vende parkimi për automjetet, etj.”, shprehet arkitekti Suer Bedeni.
Ata konfirmojnë së në bazë të studimit që kanë bërë përveç akseve kryesore mund të ndërhyjnë edhe në akse të nivelit të dytë edhe të tretë. Në akset kryesore me korsi të dedikuara dhe në akset e tjera sipas mundësive fizike.
Ekspertët gjithashtu shprehen se kjo guidë propozon lehtësira për qytetarët, si siguria në rrugë për përdoruesit e biçikletave, shtimin e përdoruesve të biçikletave dhe si rrjedhojë një qytet me më pak ndotje dhe më të shëndetshëm.





