Serxhio Perez është një nga tre emrat e rinj në startin e sezonit 2026, në epokën e re të Formulës 1. Meksikani, me gjashtë fitore dhe 39 podiume në kategorinë mbretërore, rikthehet si transferimi i madh i skuderisë Kadillak, ku do të ndajë ekipin me finlandezin Valteri Botas. Edhe pa u parë ende performanca e ekipit të ri amerikan, Perez ka tërhequr vëmendjen duke reflektuar mbi fazën e tij të fundit në F1.
Ai ishte i lidhur me Red Bullin për katër sezone, duke përjetuar momente lavdie si fitoret në Monako dhe Baku, mbrojtjen epike ndaj Hamiltonit në “Yas Marina”, por edhe periudha shumë të vështira që çuan në largimin e tij në vitin 2024. Asgjë nga këto nuk është harruar dhe tani ai duket se kërkon të sqarojë pozicionin e tij në atë kohë. “Të jesh shok skuadre i Maks Vershtapenit te Red Bulli është puna më e keqe që ekziston në Formula 1”, tha Perez në podkastin “Cracks”.
Një deklaratë befasuese, pasi marrëdhënia e tij me Maksin është shumë e mirë, edhe pse sfiduese. Në thelb, gjithçka sillet rreth Vershtapenit. “Herën e parë që u ula me Kristian Hornerin, ai më tha: ‘Ne garojmë me dy makina sepse duhet të garojmë me dy makina, por projekti është i Maksit’”, shpjegon Perez. Një fjali e fortë, që tregon mënyrën se si funksionon struktura e Red Bullit në Milton Keynes dhe mbështetja totale për holandezin. Diçka që e çoi Perezin nga momente shumë të mira në periudha të vështira.
“Në simulator isha më i shpejtë se Maksi, shkoja në gara duke menduar se mund të fitoja dhe drejtoja në mënyrë automatike, pa menduar se si ta ngisja makinën”, thotë ai. Por, sipas Perezit, gjithçka ndryshoi: “Derisa erdhën përmirësimet”. Meksikani shpjegon se këto zhvillime i krijuan probleme dhe pasiguri. “Ishte një drejtim shumë i qartë dhe unë fillova të kisha probleme, mendoja të mos përplasesha dhe përplasesha. Nuk kisha më kontroll”, tregon piloti. Largimi nga Red Bull erdhi dhe edhe ai moment ka një prapaskenë polemike.
“E pyeta Hornerin se çfarë do të bënin nëse gjërat nuk funksiononin me Lousonin. Më tha se ishte Tsunoda. E pyeta sërish për japonezin dhe ai u përgjigj se kishin shumë pilotë. Në fund i thashë se do t’i përdornin të gjithë…”, përfundon Perez. Meksikani u largua nga Red Bulli, Horner dhe Marko gjithashtu… dhe tani piloti nga Guadalajara rikthehet në pistë me makinën Kadillak, ku sezoni 2026 pritet ta rikthejë sërish në qendër të vëmendjes.





