Zhoze Murinjo drejt Realit të Madridit. Për momentin duket diçka e ekzagjeruar dhe aspak e besueshme, por me kalimin e ditëve mund të marrë jetë.

Arsyet janë të ndryshme dhe për momentin mediat spanjolle raportojnë se presidenti i Realit të Madridit e ka kontaktuar portugezin për të kuptuar nëse është i gatshëm për t’u rikthyer te “galaktikët”.

Sigurisht që përgjigjja ka qenë pozitive, por fillimisht të kuptojmë arsyet e kësaj lëvizjeje.Sezoni nuk ka nisur ende, por situata në kampin e Realit të Madridit nuk është aspak e qetë.

Raporti mes presidentit Florentino Perez dhe trajnerit Zinedin Zidan nuk është më i miri dhe është krisur për çështje të ndryshme. Numri një i madrilenëve e riktheu francezin në muajin mars pas dështimeve të Lopeteguit dhe Solarit.

Diçka e tillë shërbeu për të shpëtuar “kokën” nga një largim i mundshëm nga froni presidencial, por problemet kuptohen me kohën. Zinedin Zidan ka vënë kushte të “frikshme” për Perezin dhe ka kërkuar pushtet të plotë për gjithçka ndodh në skuadër.

I gjendur në buzë të greminës, Perez i pranoi në atë kohë me idenë se gjërat do të rregulloheshin rrugës. Megjithatë, Zizu i qëndron të njëjtës linjë dhe presidenti ka mbetur i pakënaqur nga çështja “Bejl”.

Bosi madrilen e pëlqen uellsianin dhe kërkon t’i japë një shans tjetër, ndërsa trajneri francez është i vendosur për ta larguar. Nga ana tjetër, Zidan nuk është aspak i kënaqur me merkaton edhe pse janë shpenzuar shumë.

Ai nuk e ka ende mesfushorin e ëndrrave (Pol Pogba) dhe po pret deri në ditën e fundit që Perez t’ia plotësojë këtë dëshirë.Humbja në miqësore ndaj Atletikos së Madridit me rezultatin 7-3 nuk mund të kalonte lehtësisht.

Derbi është një duel i përjetuar maksimalisht dhe “galaktikët” nuk e shmangën dot figurën e turpit në Amerikë. Situata është rënduar hap pas hapi, nisur që nga fundi i sezonit të kaluar. Zidan aty thjesht e nisi mirë, por më vonë pësoi humbje të njëpasnjëshme.

Të gjitha këto detaje çojnë në përfundimin se ndoshta Zizu mund të dështojë në aventurën e dytë me Realin, pavarësisht se në skuadër ka afruar lojtarë shumë të rëndësishëm si Eden Hazard, Joviç, Mendi, etj. Perez nuk do të gjendet i papërgatitur, prandaj ka nisur kontaktet e para me Zhoze Murinjon.