Partitë duhet të bëjnë më shumë, për sa i përket kuotës gjinore. Duhet të bëjnë më shumë për të vendosur më shumë gra në listat zgjedhore dhe për trajnimin e aftësive e tyre. Një barazi më e madhe gjinore është për rritjen e sigurisë,- tha ambasadori Wollfarth në tryezën e organizuar nga OSBE/ODIHR

Javën që sapo u mbyll OSBE/ODIHR zhvilluan një tryezë të rrumbullakët për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Pavarësisht nismave dhe ndërhyrjeve të ndërmarra (më e rëndësishmja ajo e realizuar në Kodin Zgjedhor që u kërkon partive politike përfaqësimin e grave në politikë në kuotën 30%), pak gjë duket se është bërë në këtë drejtim. Nëse do t’i referohemi përfaqësimit të deputetëve në Parlament nga qarku i Durrësit,  nuk ka shumë vend për koment. Nga 13 deputetë që ka qarku ynë 11 janë meshkuj dhe vetëm 2 janë femra; Klodiana Spahiu (PS) dhe Albana Vokshi (PD). Numri i deputetëve meshkuj është pesë herë më i lartë se i kolegeve të tyre femra. Është e vërtetë që ndryshimet e Kodit zgjedhor nisën të aplikohen që në zgjedhjet legjislative të vitit 2009, por boshllëqet në ligj (të pranuara edhe nga ndërkombëtarët) si dhe vullneti i munguar i partive politike, veçanërisht dy forcave kryesore, PD dhe PS, mundësoi konfigurimin e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë, ku ndër 140 deputetë vetëm 23 janë femra.

Vërtet kryetarja e parlamentit është femër, por kjo është shumë pak për të thënë se gratë në politikë janë të mirë përfaqësuara. Ndoshta stereotipi se politika është e fortë, e egër, larg veçorive karakteristike të stereotipit grua si brishtësia, delikatesa, toleranca etj, i mban larg politikës femrat, që aspirojnë që në të ardhmen të ulen pse jo edhe në karriken e deputetit. Por në të njëjtën kohë angazhimi politik nënkupton një sipërmarrje të vështirë, një angazhim të përhershëm dhe pa limit kohor pranë një komuniteti të gjerë, një parakusht ky që ndoshta jo çdo grua është e predispozuar ta marrë mbi supe. Një faktor tjetër është fakti se gratë në politikë pavarësisht dëshirës dhe solidaritetit midis femrave, realisht ato nuk promovojnë sa duhet koleget. Në të vërtetë nuk funksionon një aleancë e mirëkoordinuar ku femrat të mbështesin fort gjininë e tyre. Shumicën e rasteve ato dorëzohen para trysnisë dhe  klimës së egër politike që sundon në vend duke harruar për interesa të vogla promovimin e kolegeve femra.

Afirmimi në strukturat partiake shpeshherë nënkupton një mbështetje të gjerë nga anëtarësia dhe sidomos nga figurat drejtuese të formacionit politik (këto të fundit janë gjithnjë faktor determinues për promovimet e figurave të reja). Nuk kanë munguar rastet kur femra të ndryshme janë promovuar nga politika, nga të dyja kahet e saj, por më pas kanë dalë pa zhurmë nga terreni politik. Ndoshta mos gjetja e ambientit të përshtatshëm ose katapultimi në një mjedis që për disa duket i largët (rasti i deputetes Rudina Seseri, që u zgjodh nga baza socialiste për të përfaqësuar qytetarët durrsakë në Parlament e pastaj dha dorëheqjen për të marrë pjesë në një projekt menaxhimi fondesh në SHBA, ku jetonte prej vitesh) mund të jenë arsye të tjera të prezencës së pakët të femrave në politikën shqiptare. Cilado qofshin arsyet, apeli i lëshuar nga ambasadori Eugen Wollfarth në tryezën e organizuar nga OSBE/ODIHR se,- “Partitë duhet të bëjnë më shumë, për sa i përket kuotës gjinore. Duhet të bëjnë më shumë për të vendosur më shumë gra në listat zgjedhore dhe për trajnimin e aftësive e tyre. Një barazi më e madhe gjinore është për rritjen e sigurisë”,- duhet të ndërgjegjësojë politikën shqiptare të rrisë realisht kuotën e përfaqësimit të femrave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në të kundërt do të vazhdojmë të themi që legjislacioni ynë është konform standarteve të kërkuara nga Bashkimi Europian, por zbatimin e tij në praktikë e ndan ende një hendek i madh.