DURRËS, 7 maj 2013– Përfaqësimi i ulët i grave dhe vajzave në listat e kandidatëve për qarkun e Durrësit ka shkaktuar reagimin e shoqërisë civile në Durrës. Përmes një deklarate për shtyp, Shoqata e Grave me Probleme Sociale denoncon shkeljen e hapur të Kodit Zgjedhor. Ajo deklaron se ka ndjekur me vëmëndje të gjitha zhvillimet e fundit sa i përket përpilimit të listave të kandidateve për zgjedhjet parlamentare të qershorit dhe se me keqardhje konstanton një përfshirje të ulët të grave, në listat e kandidatëve, e shoqëruar me një numër të reduktuar të tyre, krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, të 2009.
“Përfaqësimi i ulët i grave përbën një regres në përpjekjet e përbashkëta për të emancipuar politikën dhe për të shfrytëzuar potencialet e mëdha profesionale, njerëzore dhe politike që gratë zotërojnë. Nga shqyrtimi i listave përfundimtare të kandidatëve në qarkun e Durrësit, vëmë re që ka munguar vullneti politik për të zbatuar kuotën e parashikuar në ligj mbi përfaqësimin gjinor të kandidateve jo vetëm në drejtim të numrit të grave por edhe renditjes së tyre në lista.
Diskriminimi gjinor që bëhet në këtë rast, reflekton ngërçin e një politike që nuk di të kapërcejë vetveten, të zbatojë ligjet, të respektojë demokracinë dhe të aplikojë mundësi të barabarta përtej gjinisë, në funksion të interesit publik!
Qarku i Durrësit ka dhjetra gra me potenciale të shkëlqyera personale dhe profesionale, me motivimin e lartë për të sjellë zërin e grave dhe për të punuar fuqishëm drejt kapërcimit të sfidave dhe progresimit të vendit!”- thuhet në deklaratë.
Bajana Çeveli, drejtore ekzekutive e kësaj shoqate shprehet se shoqëria civile do të ngrejë zërin për respektimin e kuotës gjinore siç e parashikon Ligji për Barazinë Gjinore dhe Kodi Zgjedhor:
“Për ne,si përfaqësuese të shoqërisë civile me përpjekje disavjeçare në drejtim të fuqizimit të grave, kjo situatë është e papranueshme në kushtet kur synojmë të arrijmë progresin e nevojshëm të kërkuar për aderimin në BE! Të zhgënjyer nga situata aktuale politike, ne do të përcjellim shqetësimin tonë pranë organizmave drejtues të partive në nivel lokal e qëndror, përfaqësive diplomatike, donatorëve që operojnë në Shqipëri dhe medias.”
/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/


