Përfaqësues të Klubit Rotarian dhe Klubit Rotaraktor të Durrësit janë takuar me ministren e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Malin e Zi, Andjela Jakshiq-Stojanoviq.

Ka qenë vetë drejtuesja e dikasterit të arsimit në Malin e Zi që përmes një postimi në rrjete sociale jep detaje nga ky takim i rëndësishëm, gjatë të cilit Klubi Rotarian Durrës do të dhurojnë mbi 3000 libra për bibliotekat e shkollave të mesme në vendin fqinjë.

“Rotary Club Durrës ofroi mbi 3.000 libra të fushave të ndryshme, të cilat janë të destinuara për bibliotekat e shkollave të mesme në Mal të Zi, ku mësimi zhvillohet në gjuhën amtare dhe shqipe.

Ministrja Jakshiq-Stojanoviq i falënderoi për këtë donacion të rëndësishëm dhe theksoi se Ministria do të japë kontributin e saj për modernizimin e hapësirave të destinuara për biblioteka”,- thotë ndër të tjera ministrja në postim.

Rreth 3000 titujt e dhuruar do të dorëzohen në bibliotekat e disa shkollave në qytetet e Tuzit, Ulqinit dhe Plavës në semestrin e dytë,

Përfaqësuesit e Klubit Rotarian dhe Klubit Rotaraktor të Durrësit kanë paralajmëruar realizimin e aktiviteteve të tjera në të ardhmen, të cilat mund të kontribuojnë  në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Malin e Zi.

Nisma e ndërmarrë nga klubi i të rinjve rotarian në bashkëpunim me Klubin Rotarian të Durrësit synon mbledhjen dhe dhurimin e librave në Malin e Zi me qëllim zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e edukimit midis dy vendeve dhe forcimin e marrëdhënieve në komunitet.