Indrit Hamiti: Çdo tentativë djallëzore për të goditur PDIU-në dhe çështjen çame është e dështuar
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit si dhe një nga figurat e rëndësishme të komunitetit çam dhe PDIU-së, Indrit Hamiti, ka reaguar ndaj disa deklarimeve mediatike, të cilat ai i ka konsideruar si tentativa qesharake dhe ogurzeza për të dëmtuar PDIU-në veçanti dhe çështjen çame në përgjithësi. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”, Hamiti do të deklaronte se çdo tentativë për të goditur çështjen çame dhe PDIU-në ështe e dështuar, qesharake dhe me prapavija të errëta. Më tej Hamiti do të komentonte….
Z. Hamiti, ditët e fundit ka pasur disa reagime në median e shkruar të një grupimi që konteston lidershipin aktual të PDIU-së. Cili është reagimi juaj ndaj këtyre akuzave?
Në rradhë të parë duhet që të shikojmë se nga vijnë këto akuza, për të mbajtur qëndrimin ndaj tyre. Mendoj se mungesa e identitetit politik dhe social të një grupimi të tillë, nuk të bën ti marrësh në konsideratë dhe shumë seriozisht këto reagime, të cilat për mendimin tim nuk janë gjë tjetër veçse tentativa për të dëmtuar PDIU-në në veçanti dhe çështjen çame në përgjithësi. Gjithsesi për të sqaruar opinionin publik do ia vlente t´u jepej një përgjigje.
Cila është konkretisht kjo përgjigje?
Në fakt nëse lexon me kujdes deklaratat e kësaj të ashtuquajture “Lëvizje Çame” që vetëm e tillë nuk mund të jetë, shikon se sa të pabaza dhe të pavërteta janë ato që deklarohen. Flitet për mungesë progresi dhe nismash ligjore për nisjen e çështjes çame, kur dihet se sa është bërë në këtë drejtim nga lidershimi i PDIU-së në Parlament dhe jo vetëm. Sigurisht që ka shumë për të bërë, por është bërë maksimumi i mundshëm në kushtet e përfaqësimit aktual në politikë dhe vendimmarrje. Flitet për mungesë organizimi strukturash, kur dihet se sa funksionale dhe efektive kanë qenë dhe janë këto struktura. Natyrisht që njerëzit që lëshojnë akuza të tilla mund të kenë ndonjë qejfmbetje në lidhje me punësimin e tyre apo të ndonjë njeriu të tyre, por kjo nuk do të thotë të cënosh lidershipin e PDIU-së. Flitet për drejtuesit e PDIU-së që s´kanë shkelur në Çamëri, kur dihet se çfarë është bërë për sensibilizimin e çështjes çame, që nga Këshilli i Europës deri te protestat në kufirin grek, pa llogaritur qindra aktivitete, nisma ligjore apo qëndrime të tjera të mirëorganizuara dhe si rrallë herë në mënyrë institucionale.
Të paktën kjo e ashtuquajtur lëvizje të kishte marrë mundimin që të shikonte stacionet televizive apo të lexonte median e shkruar për të parë se çfarë është bërë në këtë drejtim. Fare të papërgatitur dhe jashtë realitetit, këta njerëz hedhin baltë mbi një forcë politike që jo vetëm po merr një përkrahje masive nga shqiptarët, por dhe po rrit përfaqësimin e saj në jetën politike të vendit. Zgjedhjet e fundit vendore janë një tregues real në lidhje me këtë. Me sa duket ky fakt nuk po i pëlqen dikujt dhe mënyra më e mirë për të ndalur këtë proçes, që do të çonte dhe në intensifikimin e proçesit të zgjidhjes së çështjes çame, po përdoret karta greke e përçarjes që do të dobësonte përfaqësimin e këtij komuniteti, ndarjen e tij dhe humbjen e fuqisë politike dhe vendimmarrëse. Ata e dinë mirë se bashkimi bën fuqinë dhe me sa duket shikojnë me frikë se PDIU-ja mund të bëhet një faktor përcaktues në politikën shqiptare.
Natyrisht që kjo mund t’i vinte për shtat dikujt që nuk ia do të mirën komunitetit çam nga njëra anë dhe mund të kërkojë t’i bëjë favore forcave të tjera politike që janë të interesuara për dobësimin e PDIU-së. Sigurisht që për këtë mund të përfitojnë ndonjë vend pune në një të ardhme të largët, por kjo është shumë meskine dhe djallëzore, duke parë vizionin dhe orientimin që ka komuniteti çam dhe shqiptarët që e mbështesin PDIU-në dhe çështjen çame. E ritheksoj, çdo tentativë për goditur pas shpine PDIU-në, është në të njëjtën kohë një tentativë për të dëmtuar përfaqësimin e komunitetit çam nga njëra anë, por edhe për të dëmtuar çështjen çame nga ana tjetër. Gjithsesi janë tentativa jo vetëm keqdashëse, por dhe të dështuara.
Ata që akuzojnë lidershipin e PDIU-së janë gjithashtu njerëz që vijnë nga komuniteti çam apo jo?
Mendoj se individë të tillë janë një kategori që lëviz dhe vepron në mënyrë kaotike në çdo shoqëri. Unë dhe miqtë e mi i njohim mirë këta individë që në rastin tonë nuk janë më shumë se gishtat e dorës dhe do doja t’i ndaja në tre kategori. Emrat nuk po ua përmend se karakteristikat e tyre i bëjnë lehtësisht të identifikueshëm. Të parët janë interesaxhinjtë e rëndomtë që dhe pse pa lidhje shpirtërore me komunitetin çam dhe vuajtjet e tij, e kanë parë krijimin e PDIU- së si një rrugë të shpejtë për të nxjerrë përfitime për vete. Bashkimi i dy partive dhe aktivizimi i fuqishëm i zotit Idrizi me të gjithë energjitë e tij për zgjidhjen e çështjes çame, i zhgënjeu këta individë që pretendonin se duke uzurpuar kupolën e PDIU-së, mund ta përdornin këtë forcë politike ekskluzivisht për përfitime personale. Të dytët janë ata që vijnë nga një mentalitet i ngushtë klanor, nga një formim parapolitik dhe që e kanë të vështirë të bëhen pjesë e organizatave dhe strukturave organizative të cilat funksionojnë me rregulla e ideologji që i kapërcejnë kapacitetet e tyre konceptuale.
Gjithsesi këta janë dhe më të pafajshmit dhe më të manipuluarit. Për ata ia vlen të thuash: Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë. Të tretët dhe më problematikët janë ata që me të drejtë mund të quhen VIRUSI që i ka sjellë gjithmonë dëm këtij komuniteti. Janë ata për të cilët të qënit çam e kanë si një lloj rrobe që e veshin kur u duhet dhe e heqin kur u duhet të marrin një identitet tjetër, p.sh. atë të “Hebreut”, të “Gjermanit”, të “Grekut” a ku di unë kujt. Janë ata që u munduan ta përgojonin e ta diskreditonin ish-kryetarin e shoqatës Çamëria, zotin Servet Mehmeti. Nuk lanë gjë pa shpifur vetëm e vetëm se ai është njeri karizmatik, me reputacion në komunitet dhe ishte ideologu i shndërrimit të lëvizjes komunitare nga shoqatë në parti politike. Janë ata që sulmuan zotin Tahir Muhedini, vetëm e vetëm se me karakterin dhe integritetin e tij të spikatur, nuk u bë levë e askujt. Ai drejtoi dhe drejton me përkushtim komunitetin dhe e çoi sensibilizimin ndaj çështjes çame në nivele të paarritura kurrë më parë.
Janë pikërisht ata që sot sulmojnë z.Idrizi vetëm sepse ai i ka vënë synim vetes së tij dhe forcës politike që drejton, që këtë komunitet ta prezantojë me dinjitetin e një politikani modern e me objektiva që i takojnë shekullit XXI. Duke u kthyer prapa në kohë, të gjithë ne mund të kujtojmë mënyrat dhe mjetet që përdori Enver Hoxha për ta përçudnuar komunitetin çam. Thjesht i preu kokën, i masakroi elitën. Nacionalistët më të shquar i “rregulloi“ direkt pas lufte me akuzën për bashkëpunim me okupatorin. Komunistët i sistemoi me të ashtuquajturin gjyq i Teme Sejkos e me proçese të tjera të ngjashme. Po mirë Enveri e bëri këtë për interesa të veta se nuk e konsideronte këtë komunitet si besnik dhe që përbënte rrezik për të pikërisht për individualitetet e spikatura që kishte. Po këta renegatë vallë përse e bëjnë këtë luftë? Natyrisht e bëjnë për të vazhduar luftën e nisur nga etërit e tyre apo sepse forca të errëta i kanë angazhuar në këtë mision antikombëtar. Historia do ta tregojë.
Gjithsesi, z. Hamiti, nuk mund të thoni se akuzat nuk janë konkrete dhe të drejtpërdrejta?
E thashë dhe më parë që gjithkush mund të akuzojë, por ka një dallim esencial në mes atyre që akuzojnë me fakte dhe atyre që akuzojnë pa fakte dhe me qëllime të mbrapshta. Kur dikush është popullor akuzohet për populizëm, kur dikush ngre institucione akuzohet për diktator e autokrat. Në historinë e njerëzimit ka ndodhur shpesh që patriotët e mëdhenj dhe baballarët e lëvizjeve kombëtare nuk janë vlerësuar në kohën e duhur nga bashkëkombësit. Ka edhe nga ato figura të shquara që kanë qenë të detyruar ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në ekzil. Na kujtohet të gjithëve shprehja: Shqipëri mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë. Një mik më thoshte dje “çështja çame është vakëf”. Është e vërtetë dhe po aq e vërtetë është që drejtuesit e saj janë ikona, janë ikona që shërbejnë si modele përkushtimi për të rritur kohezionin në komunitet. Këtë nuk e them për të bërë mistifikime anakronike apo për të kufizuar kritikat se në çdo veprimtari e sidomos në ato politike ka vend për diskutime e mendime pro e kundra. Ama ka diçka që është dogmë është klishe, komuniteti çam përfaqësohet e duhet të përfaqësohet vetëm me një parti politike dhe lidershipi i kësaj partie është i legjitimuar jo thjesht nëpërmjet një proçesi formal, por nëpërmjet një aktiviteti të gjerë e të njohur publikisht në të mirë të çështjes.