Presidenti Vuçiç është takuar ditën e sotme me përfaqësuesit e listës serbe për të folur lidhur me tensioned në veri të Kosovës. Ata e kanë informuan presidentin serb se do të vazhdojnë protestat e tyre në veri, raporton transmetuesi publik serb, RTS.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila është edhe partia më e madhe e serbëve në Kosovë, deklaruan pas takimit se shkuan në Beograd për të informuar Vuçiçin lidhur me situatën “jashtëzakonisht të vështirë” jo vetëm në veri, por edhe në jug të lumit Ibër.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se kishte marrë me vete dhe video ku tregonin arrestimin e Radosh Petroviç dhe Dushan Obrenoviç. Rakiç tha se këta dy persona, që janë arrestuar nga autoritetet në Kosovë, nuk kanë kërcënuar askënd, as ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kjo parti ka kërkuar lirimin e dy serbëve të arrestuar.
Ai po ashtu përsëriti kërkesat që ia ka parashtruar të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atij evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur si dhe statuti për Asociacionin duhet të miratohet nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja, sepse blloku evropian është garantues dhe nënshkrues i marrëveshjes.
Ndërkaq, kërkesa e tretë e Listës Serbe, sipas Rakiç është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës.