Sot është zhvilluar në Fier ceremonia e nisjes së fazës intensive të punimeve për gazsjellësin TAP, i cili do të shtrojë tubacionet edhe në vendin tonë.

Duke inauguruar fillimin e punës, kryeministri Edi Rama ka theksuar se, ky projekt sjell për ne avantazhe të panumërta.

“TAP ka rehabilituar afro 100 km rrugë në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit. Ka ndërtuar dy ura të reja dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera. U ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare është rritur numri i përfituesve nga shpronësimet ku kalon gazsjellësit. Mjafton të theksoj se që së bashku kemi plotësuar dokumentacionin për 13 mijë parcela, në total 17 mijë hektarë me 25 mijë përfitues”, u shpreh Rama.

Këto janë vetëm përfitimet e para, pasi prej ditës së sotme, siç tha kryeministri, nis një fazë e re, ku numri i të punësuarve do të jetë mbi 4 mijë.