Pas denoncimit të disa qytetarëve, një 39-vjeçare nga Tirana u arrestua të mërkurën nga policia e Korçës, pasi u kishte marrë shuma të mëdha parash me premtimin se do të përfitonin fonde për ndërtimin e hoteleve dhe resorteve. Vjola Sterjo dyshohet se arritur të përfitojë shumën 365 mijë euro me premtimet e rreme.
Klan News zbardh dhe denoncimet e personave të mashtruar prej Sterjos.
Kështu, në datën 12 dhjetor 2022, Thanas Sulo ka bërë kallëzim para oficerit të Policisë Gjyqësore duke deklaruar se në mars të vitit 2020, përmes një të njohuri të tij të quajtur Genti, i cili kishte një lokal afër me pikën e tij të karburantit, është njohur me Viola Sterjon, me origjinë nga Pogradeci, e cila në atë kohë punonte tek e-Albania në Tiranë, ndërsa aktualisht punon tek AKSHI. Kur e ka njohur 39-vjeçaren ajo i kishte premtuar Gentit që ai do përfitonte një grand me vlerë 3.5 milion euro për të bërë një hotel në Voskopojë. Nga Genti, denoncuesi ka mësuar se ai i kishte dhënë Sterjos në dorë 160 mijë dollarë amerikane. Në vijim, Thanas Sulo deklaron se donte që në tokën e karburantit të tij të bënte një hotel, ndaj dhe i kërkoi Gentit që ta prezantonte me Violën.
Pas bisedave paraprake Viola i ka kërkuar shuma parash duke i premtuar që do të ndërhynte tek ata që do t’i jepnin grandin tek AZHBR. Sulo i ka dhënë Viola Sterjos 57 mijë euro dhe 1. 000.000 lekë. Sulo ka deklaruar se shumat e parave ia ka dhënë Viola Sterjos në Korçë dhe Tiranë. Sipas kallëzuesit, pasi i ka dhënë paratë, ai ka qenë në pritje të fitimit të grandit, të cilin ajo ia kishte premtuar se do t’i jepej deri në tetor të 2020. Por pasi kaloi nëntori dhe dhjetori, në kushtet kur grandi nuk u përfitua, kallëzuesi sqaron se i kërkoi 39-vjeçares t’i kthente paratë, pasi dyshonte se ajo po e mashtronte. Këtë dyshim e përforconte edhe fakti që shoku i tij Genti, i cili i kishte dhënë Violës 160 mijë dollarë, por nuk e kishte përfituar grandin dhe ajo nuk ia kishte kthyer paratë.
Ndërkohë, që nga fillimi i 2021 dhe deri më sot, Sulo ia kishte kërkuar disa herë paratë Viola Sterjos ,por ajo i thoshte ‘jo sot, jo nesër’.
Pas kallëzimit prokuroria ka marrë në pyetje edhe bashkëshorten e Sulos e cila ka deklaruar se ata kanë në pronësi një pikë shitje të cilën e kanë lëshuar me qira dhe në po këtë vend kanë në pronësi një sipërfaqe toke prej 3.700 metër katrorë. Ajo ka deklaruar se pas takimeve me Viola Sterjon ajo u ka premtuar që ata do të ishin fitues të grandit, i cili do të rritej nga 2.2 milion euro në 4.5 milion euro. Pasi i kanë dhënë Viola Sterjos në dorë 57 mijë euro, i kanë bërë transferta me banke edhe shuma të tjera parash, që Sterjo i kërkonte për të plotësuar dokumentacionin e grantit.
Prokuroria e Korçes ka pyetur si person që tregon rrethanat e hetimit edhe Olgert Kafazin, i cili ka deklaruar se para 5 vitesh, në zonën e Voskopojës ka blerë një sipërfaqe toke së bashku me dy persona të tjerë, për të ndërtuar një resort turistik. Në kohen që Kafazi punonte në banesën e një personi me emrin Gjergji, ky i fundit i ka folur për mbesën e tij, Viola Sterjo. Ai ka shkuar me Gjergjin në Tiranë dhe e kanë takuar Violën. Nga biseda me të ka mësuar se ajo kishte mundësi, përmes njerëzve të saj që t’i nxirrte atij një grand nga shteti për ndërtimin e resorit në Voskopojë. Vlera e resortit do të ishte 2 milion euro. Kafazi i ka thënë Violës se projektin për ndërtimin e resortit e kishte gati. Kafazi ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore që i ka dhënë Viola Sterjos 90 mijë euro, shumë të cilën e kishte përfituar nga ortaket e tij. Fillimisht i ka dhënë 15 mijë euro në dorë në Tiranë dhe disa herë shuma të tjera parash ia ka dërguar me bankë. Dy herë ka dërguar paratë nga bankat në numrin e llogarisë të ekonomistit të saj.
Në fillim të vitit 2022 ai është informuar se Viola Sterjo nuk kishte bërë asnjë aplikim që ai të përfitonte grandin dhe kjo e ka bërë të dyshonte se ajo e kishte mashtruar. E ka takuar Violën në prezencë të dy vëllezërve të saj dhe ajo i la kthyer 20 mijë dollarë. Ndërsa me kontratë noteriale lidhur mes tij dhe Violës, kjo e fundit ka deklaruar se i njeh detyrimin prej 90 mijë euro dhe nëse nuk ia kthente brenda 6 muajve ajo i linte si garanci banesën e vjehrrit të saj.