Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër ka hapur dyert pas rikonstruksionit tërësor të godinës, një investim i qeverisë dhe MSHMS-së për transformimin e infrastrukturës shëndetësore në vend.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kanë parë nga afër ambientet e reja dhe me kushte moderne që rrisin standardet dhe aksesin në marrjen e shërbimeve në 22 specialitete të ndryshme si dhe të gjitha ekzaminimet laboratorike.
Ministrja Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, tha se Poliklinika e re e Specialiteteve është e ndërtuar tërësisht nga e para, jo vetëm me pajisjet, por edhe me infrastrukturë tërësisht të rehabilituar.
“Kjo është Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër e ndërtuar tërësish nga e para, jo vetëm me pajisje, por edhe me infrastrukturën tërësisht të rehabilituar që tashmë zgjeron kabinetet dhe shërbimet. Ndërkohë zgjerohen kabinet e shërbimeve nga 14 shërbime që ofroheshin në këtë poliklinikë, aktualisht jemi në 22 shërbime. Pajisja DEXA është një pajisje që vlerëson densitetin e kockës dhe për gratë është shumë e rëndësishme.
Vazhdojmë me grafinë, e cila është gjithashtu një pajisje diagnostikuese që i ka munguar qytetit të Shkodrës në poliklinikë, ofrohej vetëm në spital. Kemi kabinetin e mamografisë. Ndërkohë që një nga politikat për të diagnostikuar në kohë kancerin e gjirit për gratë një fushatë që zhvillohet ne fakt gjatë muajit tetor tashëm është bërë rutinë dhe ne kemi vendosur që të zhvillojmë diagnostikime falas me aparaturat e monografisë pa sistem referimi në çdo qark të vendit, në çdo muaj. Në muajin janar është në Shkodër që diagnostikimi do të referohet drejtpërdrejtë pa patur atë ecejaket në sistemin e referimit“, shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë Koçiu lidhur me aparaturat dhe risitë që ofrohen në kabinetet e poliklinikës.
Ndër të tjera Ministrja Koçiu tha se jo vetëm Poliklinika, por edhe spitali i Shkodrës me buxhetin e vitit 2025 do të marrë vëmendje të shtuar.
“Ajo që duhet thekuar është që jo vetëm poliklinika, por edhe Spitali i Shkodrës me buxhetin e vitit 2025 do të marrë vëmendje të shtuar. Do të kemi rehabilitimin dhe rikonstruksionin, jo vetëm të Maternitetit të Shkodrës, por edhe të disa shërbimeve të tjera si: Okulistika, edhe disa shërbime të tjera, pneumologjia brenda spitalit të Shkodrës, duke e rritur dhe përmirësuar, jo vetëm kushtet e punës, po patjetër motivuar stafin edhe ofruar shërbim cilësor për qytetarin”, u shpreh ministrja.