Dy punonjës të një agjencie turistike janë arrestuar pasi akuzohen se përfituan 15 mijë euro duke mashtruar klientët.
Sipas uniformave blu mësohet se në pranga kanë rënë dy të rinjtë, 22 vjeç dhe 24 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Travel”. Si rezultat i operacionit u ndaluan shtetasit:
K. K., 22 vjeç, dhe R. H., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, parashikuar nga nenet 143/2-25, 180 dhe 181 të K. P.
Këta shtetas dyshohet se kanë mashtruar klientë të agjencisë së udhëtimit ku ishin të punësuar, pasi iu kanë marrë atyre paratë për rezervimin e biletave për vajtje, ardhje dhe për akomodim në hotel, por kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.