Këngëtarja Celine Dion ka njoftuar se performancat e saj në "Pallatin Cezar" në Las Vegas janë drejt fundit. Në një njoftim në Facebook, 50-vjeçarja lajmëroi ndjekësit se shfaqja e fundit do të jetë me 8 qershor 2019.
"Kam ndjenja të përziera për shfaqjen e fundit. Las Vegasi është kthyer në shtëpinë time dhe performancat në Pallatin Cezar kanë qenë pjesë e madhe e jetës sime për dy dekadat e fundit. Ka qenë një eksperiencë e bukur dhe i jam mirënjohëse të gjithë fansave të mi që më kanë ndjekur gjatë këtyre 8 viteve. Çdo shfaqje që do bëjmë këtë vit do të jetë tepër e veçantë", shkruan Celin.
Ajo kishte munguar në muzikë që prej muajit mars pasi bëri një ndërhyrje në vesh. Performancat e fundit do të fillojnë me 20 tetor, ndërkohë që biletat kanë dalë në shitje.





