Gjykata Kushtetuese u mblodh sërish sot (16 dhjetor), për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, por nuk pati asnje vendimmarrje dhe seanca u shty. 

Me anë të një njoftimi Gjykata thotë se administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30.

“Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t`u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to”.

Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17 dhjetor në orën 13:00.

Gjykata e Lartë, këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe njoftoi shpalljen e vakancës dhe çeljen e garës për këtë post më 11 dhjetor. Gjykata e Lartë këmbënguli se njoftimi publik për shpalljen e garës dhe në vetë aplikimin e Zaçajt, që u bë po ashtu publik, përmendej mbarimi i mandatit në mars 2025.

Nga ana e saj, Holta Zaçaj arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ajo po ashtu i kërkoi Komisionit të Venecias mendim mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj këmbëngul se qëndrimi i saj dhe kërkesa për interpretim nga Venecia kërkon të sigurojë pacënueshmërinë e mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.