Qyteti i Durrësit ka përfituar një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e ujit në 30 vitet e fundit. Ujësjellësi tashmë është vënë në punë dhe pritet të ketë një ndikim të dukshëm në përmirësimin e furnizimit me ujë të popullatës. Burime nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizime bëjnë të ditur se krahas qytetit, i cili e zgjidh tashmë këtë problem, edhe zonat rurale, pas afro një viti e gjysëm, do të kenë furnizim 24 orë me ujë.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës, Spartak Kovaçi, shprehet se projekti më i fundit që kemi hartuar financohet nga buxheti i shtetit, banka gjermane KFW dhe bashkia Durrës dhe parashikon ndërtimin e ujësjellësave për njësitë administrative Katund i ri, Rrashbull-Xhafzotaj dhe zona e Shkëmbit të Kavajës, sipër shinave të trenit.
Zona e fshatrave është menduar të furnizohet nga ujësjellësi i vjetër, i cili e siguron ujin nga burimi i Fushë Kuqes. Ai tashmë do të jetë vetëm për këtë zonë, pasi qyteti i Durrësit furnizohet nga ujësjellësi i ri. Drejtori Kovaçi përmend edhe zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, e cila ka përfituar një investim për ujin e pijshëm si dhe rrjet kanalizimesh dhe një impiant modern për pastrimin e ujërave të ndotura.
Po gjatë këtij viti pritet të nisin punimet edhe për ndërtimin e ujësjellësit të Ishmit, ku do të marrë fund problemi i mungesës së furnizimit me ujë të fshatrave Drac, Bizë, Shetaj dhe Lalëz së bashku me ujësjellësin e ri dhe rrjetin e kanalizimeve në zonën bregdetare në fshatin Hamallaj.
K.H.





