EMPOLI, 16 mars 2013– 5 vjet dhunë dhe kërcënime. 5 vjet frikë dhe grushta kanë përfunduar mbrëmjen e djeshme. 5 vitet e ferrit të një gruaja shqiptare kanë marrë fund, pasi karabinierët kanë prangosur bashkëshortin e saj, që sistematikisht, që nga viti 2007, rrihte dhe dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten. Policia italiane ka vënë pas hekurave një 32 vjeçar shqiptar me iniciale F.D. mbi të cilin rëndojnë akuzat e dhunimit, pengmarrjes dhe dhunës seksuale.
I riu shqiptar, që nuk ishte i panjohur për forcat e rendit, ishte i papunë. Për 5 vite rresht, që nga 2007 bashkëshortja e tij i është nënshtruar dhunës sistematike të përditshme, derisa vitin e kaluar mori guximin të denonconte të shoqin.
Siç raportojnë mediat italiane, menjëherë pas dokumentimit të rastit në fjalë, policia nisi hetimet dhe mbrëmjen e së premtes prangosi burrin dhunues.
Çifti ka dhe një vajzë 7 vjeçe, e cila mund të ketë asistuar në rastet kur nëna e saj dhunohej barbarisht nga babai. Policia bën të ditur se gruaja është dhunuar gjithnjë në ambjentet e shtëpisë dhe prej frikës nuk i është drejtuar asnjëherë urgjencës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





