Gërmimet për tunelin e Llogarasë kanë përfunduar ditën e sotme. Punimet u inspektuan nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Gjatësia e tunelit është 6 kilometra, ndërsa 1.4 kilometra të tjera janë rrugët dhe urat lidhëse që të çojnë drejt Palasës e prej andej në fshatrat e tjerë.
Ministrja Balluku bëri të ditur se e gjithë vepra parashikohet që të jetë e përfunduar totalisht dhe e hapur për automjetet më 1 qershor të vitit 2024.
“Sipas kontratës, ne duhet të dorëzojmë veprën më 10 gusht 2024. Ne synojmë që 1 qershorin e 2024-s e gjithë vepra, pra 7.4 kilometra pasi 6 kilometra është tuneli dhe 1.4 janë rrugët ndihmëse dhe lidhëse, urat që do të lidhin direkt me pjesën e Palasës, të jenë gati më 1 Qershor dhe operative për gjithë qytetarët. Ky është synimi i gjithë grupit”, u shpreh Balluku.
Ministrja theksoi se terreni gjeologjik për tunelin e Llogarasë ka qenë i mirë dhe kjo ka ndihmuar në ecurinë e punimeve.





