Mbrëmjen e kaluar në prani të mjaft artdashësve të kinemasë, në arenën e Amfiteatrit antik të Durrësit u shfaq filmi italian “Un paese quasi perfetto” i regjisorit Massimo Gaudioso.
“Kjo ishte mbrëmja e fundit e kinemasë që u organizua në dy muajt e kaluar nga Drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare, në bashkëpunim me Institutin italian të Kulturës dhe Bashkinë Durrës”, tha drejtori Alban Ramohitaj.
Që nga muaji korrik në amfiteatër, çdo të mërkurë janë shfaqur prodhime të kinemasë italiane të periudhës së neorealizmit si dhe të autorëve bashkëkohorë.
Mes tyre edhe “Sedota e abbandonata” i regjisorit Pietro Germi dhe filmi “Si accettano miracoli” nga Alessaandro Siani.
Të hënave artdashësit durrsakë kanë ndjekur filma dhe telekomedi të artistëve shqiptarë.
Gjatë stinës së verës në skenën e improvizuar të monumentit më të madh të antikitetit në vendin tonë janë organizuar edhe veprimtari të muzikës klasike, ku shquhet koncerti i veprës madhore “Katër stinët” i Vivaldit në kuadër të Bienales “Netët e muzikës klasike”.