Afati për ndryshimet në regjistrin e shtetasve sipas vendimit të qeverisë u mbyll këtë javë, por emigrantët nuk janë kthyer, e për pasojë procesi nuk ka përfunduar. Zyrat e gjendjes civile në bashkinë e Durrësit kanë ndërprerë pasditen e djeshme veprimet për ndryshimet në regjistrin e shtetasve, që lidhen me vendbanimet e tyre.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur shumë qytetarë që janë paraqitur për të bërë ndryshimet e duhura në lidhje me vendbanimet, ndërsa gjatë ditës së sotme ka pasur më pak. Edhe pse zyrtarisht afati ka përfunduar dje, sërish mund të ketë një shtyrje tjetër për shkak se shumë emigrantë kthehen në këtë periudhë në vendlindjet e tyre për të kaluar pushimet. Administratori i rajonit numër 5, Myslim Hasanaj, shprehet se gjatë ditëve të fundit punonjësit e zyrës së gjendjes civile kanë punuar edhe jashtë orarit zyrtar për të bërë ndryshimet e duhura, ndërsa në lidhje me ata që mund të paraqiten gjatë ditëve të ardhme, ai shprehet se do të presin nëse do të ketë shtyrje të afatit. Të dhënat e ndryshuara për vendbanimet e sakta të shtetasve që nuk i kishin bërë ato më parë, pasqyrohen menjëherë në regjistrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Ish- ministri i brendshëm, Sajmir Tahiri, e lançoi këtë nismë në muajin shkurt të këtij viti, por durrsakët i lënë për ditët e fundit të gjitha çështjet kur kanë të bëjnë me shtetin.
K.H.