Sipas parashikimeve,rruga e plazhit është gati një javë para mbylljes së muajit qershor.
Në të gjithë gjatësinë e saj është hedhur asfalti, dhe punimet janë duke u mbyllur në segmentin nga Ura e Dajlanit deri te sektori Teuta, ku makineritë e rënda dhe punëtorët ishin duke punuar gjatë ditës së sotme.
Mbyllja e punimeve në rrugën “Pavarësia” është një “shpresë e madhe” për të gjithë operatorët turistikë në këtë sezon veror, të cilët me padurim kanë pritur mbërritjen e pushuesve.
Makineritë e rënda kanë hedhur asfaltin nga sektori “Iliria” në drejtim të Urës së Dajlanit, duke bërë edhe rifiniturat përfundimtare, e duke e bërë rrugën brenda standardeve të kërkuara të kalimit. Paralelisht janë mbyllur edhe punimet për rrjetin e ujësjellës –kanalizimeve, investimi i të cilave shkoi në rreth 6.5 milionë Euro.
Për fazën përfundimtare të asfaltimit të rrugës bashkia akordoi 200 milionë lekë nga buxheti i vitit 2017.
Mbyllja e punimeve hap një perspektivë të re zhvillimi për të gjithë zonën turistike të plazhit të Durrësit, pasi disiplinimi i ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijshëm i zonës dhe rikualifikimi i të gjitha rrugëve të brendshme të lagjes në pjesën e bregdetit dhe i rrugës “Pavarësia”, janë tregues i mirë për thithjen e turistëve në plazhin e Durrësit.
K.H.





