DURRËS, 29 dhjetor 2014 – Kapiteni i tragetit “Norman Atlantic”, i përfshirë nga flakët prej orëve të para të mëngjesit të së dielës, 29 dhjetor 2014, ishte i fundit që u shpëtua nga forcat italiane. Por bilanci i viktimave të tragjedisë ka nisur të thellohet.
Autoritetet italiane numërojnë tashmë 8 viktima. Por mbetet mister fati i 38 personave, që ndodheshin në bord. Këto shifra janë të përkohshme.
Tragjedisë i shpëtuan 427 persona, shumica e të cilëve përjetuan 37 orë tmerri në bordin e tragetit të përfshirë nga flakët prej orës 4:30 të mëngjesit të së djelës.
Në konferencën për shtyp të fundvitit, kryeministri italian Mateo Renci vlerësoi punën e ekipeve italiane të shpëtimit që sipas tij e bëri vendin krenar, pasi viktimat, sipas tij, mund të ishin edhe më shumë nëse nuk do ishte ndërhyrë në kohë.
Ai nënvizoi edhe ndihmën që dha pala shqiptare dhe greke.
Sipas konsullatës shqiptare në Bari, shqiptarja Senada Kolekaj ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore e shtruar në spitalin “Copertino” në qytein e Leçës, ndërsa shtetasit Albert Mane dhe Alban Skëndaj kanë mbërritur në portin e Barit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
KODHELI
Në mesditën e së hënës, më 29 dhjetor 2014, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Mimi Kodheli, në një komunikim me gazetarët, tha:
“Sapo jam ndarë nga një komunikim me homologen italiane, e cila më siguroi për suksesin e gjithë evakuimit, përjashtuar rreth 50 vetët e fundit që janë akoma në bordin e tragetit të dëmtuar. Unë do të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion, sa të vështirë po aq dhe të komplikuar, për shkak të situatës tejet të vështirë në të cilën është kryer operacioni, ku deti ishte 7 – 8 ballë, era tepër e fortë, që shoqëroi gjithë këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme.
Më vjen mirë që pothuajse ky operacion ka përfunduar me evakuimin e të 22 shqiptarëve që ndodheshin në anije, por pa dyshim edhe të gjithë pasagjerëve të tjerë. Për fat të keq, në informacionin e fundit që kam, janë të verifikuar 5 persona që kanë humbur jetën (një qytetar grek dje dhe 4 të tjerë sot) dhe, besoj që më vonë do të kemi të mundur edhe identifikimin e këtyre katër personave të tjerë, të cilët do t’jua bëjmë prezent.
Komandën e të gjithë operacionit ushtarak e ka drejtuar Italia nëpërmjet tre anijeve luftarake, të cilat kanë qenë prezent që në orët e para të mesditës së djeshme. Anija “San Giorgio” është anija që mori komandën e këtij operacioni dhe pjesë integrale e operacionit ishte edhe anija jonë luftarake e ruajtjes së kufirit detar “Butrini”, e cila është ndodhur në operacion për 14 orë rresht në ditën e djeshme dhe është kthyer mbrëmë vonë në një një nga bazat tona detare. Ndërkohë, me kthimin e saj është nisur për në operacion anija tjetër e Rojës sonë Bregdetare “Lissus”, e cila edhe sot, në këtë moment që flasim, është e pranishme në operacion.
Në mënyrë të veçantë falënderoj gjithë djemtë e ekuipazhit për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, qoftë në shuarjen e zjarrit, qoftë në evakuimin e pasagjerëve. Mendohet që në portet e pritjes në Brindizi, Leçe dhe në Bari do të bëhen verifikimet për gjithë emrat e pasagjerëve, kështu që herë pas here nëpërmjet medieve ndërkombëtare, por dhe komunikimit tonë të drejtpërdrejtë, do të mundësojmë evidentimin e 22 qytetarëve shqiptarë që ndodheshin në traget.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur një gatishmëri, e cila ka qenë fryt i bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare me qeverinë italiane dhe atë greke. Ka qenë fryt i bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama me kryeministrin Samaras, i komunikimit tim personal të drejtpërdrejtë me homologët grek dhe italian dhe komunikimit të drejtpërdrejtë të ministrit Tahiri me homologun e tij italian. Gjithashtu gatishmëria ka qenë maksimale për sa u përket porteve, për sa u përket spitaleve sidomos atij të Vlorës dhe të Durrësit, ku ne kemi pritur që në se ata që do të evakuoheshin gjatë gjithë ditës së djeshme dhe gjatë gjithë natës do të mund të vinin edhe në kufijtë shqiptarë. Në fakt evakuimi nga Forcat Ajrore Italiane është bërë drejt qendrave shëndetësore përgjithësisht të rajonit të Puljes, Leçes, Barit, Brindizit dhe besoj që kështu do të jetë deri në largimin e pasagjerit të fundit nga trageti tashmë i dëmtuar. Mendoj që fati i zhvendosjes së tragetit do të vendoset mbasi pasagjeri i fundit të mund të largohet nga trageti. Kështu që besoj që në një komunikim tjetër do t’ju bëjmë me dije se cili do të jetë fati i tragetit tashmë të braktisur edhe nga pasagjeri i fundit. Është tentuar disa herë që trageti të tërhiqet gjatë natës nëpërmjet tre rimorkiatorëve italianë që kanë qenë prezent në zonën e ngjarjes, por nuk është bërë e mundur për shkak të shkëputjes së kavove që bënin lidhjen midis rimorkiatorëve dhe tragetit të dëmtuar. Mendoj që është për t’u falënderuar puna e jashtëzakonshme jo vetëm e Forcave të Armatosura, Forcës Detare dhe Forcës Ajrore, por padyshim edhe Rojës Bregdetare, Policisë Kufitare, Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithashtu të gjithë atyre spitaleve, qofshin këto publike apo private, të cilët kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për t’i ofruar asistencë të dëmtuarve në rast se kjo mundësi do të jepej. Por shpresoj që kjo ngjarje të mund jetë një kujtim i keq për t’u larguar nga memoria e ngjarjeve fundvitit me shpresën që të gjithë pasagjerët shqiptarë do të kthehen shëndoshë e mirë në atdhe apo në banesën e tyre”.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





