Faza e dytë e përzgjedhjes së kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka përfunduar me sukses për të gjithë kandidatët. Mësohet se kjo fazë ishte për testimin e aftësisë fizike, e cila është kryer në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë.

Njoftimi i SPAK:

Në përputhje me nenin 38, pika 2, shkronja ‘d’, të ligjit 95/2016, sot u zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF). Testimi nisi në orën 07:00 në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë.

Shtatë kandidatët pjesëmarrës ishin njoftuar më herët për modalitetet e zhvillimit të testit dhe përfunduan të gjithë komponentët përbërës të tij.

Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës:

Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);

Sprintin 300 metra, (i matur me kohë)

Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor)

Vrapin 2.4 km, (i matur me kohë).

Zhvillimi i testit u monitorua nga një ekip mjekësor për të vëzhguar mbarëvajtjen e tij.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të garantuar transparencën dhe ruajtjen e standardeve të procesit.

Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijohet me fazën e tretë, e cila konsiston në zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik.

Konkretisht në garë kanë mbetur Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta. Shumica pre tyre janë zyrtarë policie dhe hetues aktualë në SPAK. Nga 13 kandidatë që dorëzuan dokumentacionin dhe ju nënshtruan fazës së parë të kontrollit të dokumentacionit, 6 prej tyre u s’kualifikuan. Ata që nuk e kaluan fazën e parë të komisionit të përbërë nga kryeprokurori Altin Dumani, dhe Arben Kraja e Behar Dibra ishin: Astrit Halilaj, Haki Cako, Maoricio Sheldija, Marinela Pilinci, Miklovan Kanani dhe Nevrus Ndregjoni.