TIRANE, 6 nëntor 2013 – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla përmes një deklarate për shtyp njoftoi mbylljen e fazës së parë të konkurrimit për drejtor të drejtorive rajonale në të gjitha qarqet e vendit. Në konkurrim u paraqitën 280 aplikantë, ku ministrja vlerësoi shpërndarjen gjinore të konkurrentëve, ku mes tyre 51% janë femra, si dhe 30% i përkasin grupmoshës 25-35 vjeç. Lindita Nikolla vlerësoi si një lajm pozitiv, interesimin e shumë qytetarëve brenda dhe jashtë vendit për të shërbyer dhe kontribuar në Shqipëri.
“Pjesëmarrja e një numri të madh kandidatësh profesionistë na bën të jemi optimist që arsimi në Shqipëri ka mundësi reale për të arritur nivelet dhe standardet që ne dëshirojmë”, tha ajo.
Ministrja Nikolla garantoi opinionin publik lidhur me vijimësinë e procedurave transparent dhe të depolitizuara.
“Garantojmë besimin e opinionit publik, për vijimësinë e procedurave transparente dhe të depolitizuara të qeverisë pas 23 qershorit, larg korrupsionit dhe nepotizmit. Ne jo vetëm distancohemi nga një formë emërimesh klienteliste, por krijojmë një precedentë të ri në përzgjedhjen e drejtuesve në arsim, duke shënuar një epokë të përfaqësimit në politikëbërje përmes vlerave dhe në baza meritokracie”, tha Nikolla.
Ministrja bëri me dije se të gjithë kandidatët fitues të fazës së parë, janë të lutur të ndjekin procedurën e konkurrimit për kalimin në fazën finale, përmes një testimi me shkrim që do të zhvillohet në datën 11.11.2013, ditën e hënë, në orën 10:00 në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, si dhe një testimi me gojë që do të zhvillohet në datën 12.11.2013, ditën e martë, nga ora 10:00-16:30, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.





