Pas 2 vjetësh punime ka përfunduar investimi i qeverisë për modernizimin e Spitalit të Traumës, ish – Spitali Ushtarak në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama i shoqeruar nga ministrja e shendetesise, Ogerta Manastirliu, inspektuan ambjentet e rikostruktuara të cilat janë pajisur me aparatura të reja mjekësore në të gjitha pavionet e këtij spitali.

“Para katër vitesh ishte një spital lufte, se nuk ishte vënë më dorë. Sot është një gjë krejt tjetër dhe fakti që është i gatshëm për t’u akredituar e për t’u certifikuar me certifikatat e Bashkimit Europian, duke filluar nga gjithë instrumentet mjekësore, procesi i sterilizimit, plus dhe gjithë zonat e reja të pritjes, të trajtimit, të rehabilitimit, është realisht një ëndërr që bëhet realitet”,- tha Rama.

Spitali i Traumës ka tashmë një shërbim të rikostruktuar fizioterapie dhe laboratorët e imazheria kanë pajisje të reja dhe moderne. Aparaturat e këtij spitali përpara ndërhyrjes datonin në 1970.

Barnat ruheshin në kushte të papërshtatshme, fizioterapia dhe rehabilitimi ishin thuajse jashtë funksionit, me vetëm dy pajisje të vjetruara dhe ambientet laboratorike nuk siguronin funksionimin sipas standardeve.