Ujësjellës Kanalizime Durrës ka përfunduar investimin për zëvendësimin e linjës së vjetër në fshatin Jubë duke e zvendësuar me linjë tërësisht të re. Bëhet fjalë për zëvendësimin e linjës kryesore me diametër 250 mm, e cila gjendet në Jubë, pjesë e njësisë administrative Katund i Ri.
Ky tubacion ishte shtruar që në vitin 2002, por me kalimin e viteve tubi ishte amortizuar në një shkallë të lartë duke kërkuar zëvendësimin e tij me një të ri. Gjithashtu nevoja e një investimi të ri lidhej edhe me mungesën e rrjetit shpërndarës. Në këto kushte ndërtimi i rrjetit shpërndarës, vendosja e kasetave metalike për matësit e ujit dhe displinimi i gjithë zonës në fjalë, ka bërë që të rritet ndjeshëm arkëtimi i ujit të pijshëm.
Projekti në fjalë kishte si qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë për një popullsi prej rreth 2200 banorë. Shtrirja e linjës së re ka bërë që të shmangen shumë lidhje të paligjshme përgjatë linjës shpërndarëse të depos së Jubës, duke nxjerrë jashtë përdorimit rrjetin që operonte jashtë kushteve teknike. Rrjeti i ri kryesor ka një gjatësi prej 810 metër linear, ndërkohë që 519 metra të tjera janë rrjet shpërndarës.
Gjatë zbatimit të punimeve janë ndërtuar edhe 20 kaseta metalike për instalimin e matësve të ujit të pijshëm. Projekti në fjalë ka përfunduar dhe tashmë zona në fjalë ka një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, duke qenë se rrjeti i ri dhe eleminimi i lidhjeve të paligjshme, kanë dhënë menjëherë efekt pozitiv. Ky projekt ka bërë që të zgjerohet zona e furnizimit me ujë, ndërsa banorët e fshatit tashmë shprehen se është rritur ndjeshëm koha e furnizimit me ujë, ndërkohë që edhe cilësia e ujit është më e mirë.
Projekti i ri është hartuar nga dega teknike pranë UKD-së, e cila ka marrë parasysh rritjen e popullsisë në masën 2.5% dhe normën mesatare të konsumit të ujit, e cila llogaritet në 150 litër ujë në ditë për banor. Duke llogaritur edhe humbjet në rrjet, grupi i projektimit ka bërë të ditur se prurja maksimale e ujit në rrjetin shpërndarës është 18.32 litër ujë në sekondë.
Rrjeti kryesor i furnizimit me ujë është konceptuar në këtë mënyrë: Linja PE 140 është lidhur në linjën ekzistuese PE 250 mm nga ku më pas është reduktuar në fund me tub PE 75 mm. Linjat e shpërndarjes në fshatin Jubë nga pika e furnizimit në tubin PE 250 mm, tashëm janë PE 100 DN dhe OD 140-50 mm me presion10 bar. Në zonë ekzistojnë shumë ndërtime nga 1-3 kate dhe shpërndarja e ujit tek konsumatorët po behët me anën e lidhjeve përkatëse për cdo konsumator pranë kasetave metalike të ndërtuara buzsë rrugës. Banorët kanë hapur kontrata për furnizimin me ujë të pijshëm pranë ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Durrës, ndërkohë që janë instaluar edhe matësit e ujit.





