Ujësjellës Kanalizime Durrës ka përfunduar investimin për zëvendësimin e linjës së vjetër në fshatin Jubë duke e zëvendësuar me linjë tërësisht të re. Bëhet fjalë për zëvendësimin e linjës kryesore me diametër 250 mm, e cila gjendet në Jubë, pjesë e njësisë administrative Katund i Ri.

Projekti në fjalë kishte si qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë për një popullsi prej rreth 2200 banorësh. Shtrirja e linjës së re ka bërë që të shmangen shumë lidhje të paligjshme përgjatë linjës shpërndarëse të depos, duke nxjerrë jashtë përdorimit rrjetin që operonte jashtë kushteve teknike. Rrjeti i ri kryesor ka një gjatësi prej 810 metër linear, ndërkohë që 519 metra të tjera janë rrjet shpërndarës.

Gjatë zbatimit të punimeve janë ndërtuar edhe 20 kaseta shpërndarëse për instalimin e matësve të ujit të pijshëm. Projekti në fjalë ka përfunduar dhe tashmë zona në fjalë ka një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, duke qenë se rrjeti i ri dhe eliminimi i lidhjeve të paligjshme, kanë dhënë menjëherë efekt pozitiv.

Zona në fjalë së bashku me 6 fshatra të tjerë që kanë qenë pjesë e komunës Katund i Ri, pritet të përfitojnë gjatë vitit të ardhshëm nga një tjetër projekt, i cili financohet nga banka gjermane KFË dhe që parashikon ndëtimin e një depoje të re në fshatin Mamëz si dhe rrjetin kryesor dhe atë shpërndarës.