TIRANE– Në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Sekretari organizativ i selisë rozë Blendi Klosi ka bërë një përmbledhje të asaj që është diskutuar me dyer të mbyllura. Situara paraelektorale, problematika për KQZ, koalicionet, si dhe çështja e mandateve, ishin disa nga pikat e diskutuara në këtë mbledhje, sic tha Klosi. 

“Diskutuam problematikën e gjithë sistemit elektoral, e cila po agravohet edhe me keqtrajtimin që po i bën kësaj cështje KQZ, krejtësisht i politizuar tashmë dhe më pas problematikën që ka kjo çështje në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Klosi. 

Sipas tij është diskutuar dhe do ndiqet në vazhdimësi edhe çështja e ndarjes së mandateve edhe pse nuk ka asnjë vendim për qendrimet që PS do mbajë. “Nuk ka asnjë vendim për këtë cështje. Asambleja Kombëtare ngarkoi sekretaratin e cështjeve zgjedhjeve që të ndjeki me përgjesi këtë problem. Pati një raportim nga sakretariati, çështja do vazhdojë të ndiqet me intensitet”. 

Për sa i përket çështjes së koalicioneve, Klosi tha se ajo u diskutua, por nuk pati asnjë vendimarrje.

Klosi shtoi se, më 9 shkurt do të thirret një aktivitet i rëndësishëm për PS, “ku do të shpaloset përgatitja e deritanishme në kuadër të programit elektroral për një Rilindje Shqiptare si dhe përcaktimi konkret i tezave dhe objektivave të partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Në përfundim, ai bëri me dije se kryesia e Partisë Socialiste shtohet me dy anëtarë të rinj, Niko Peleshi e Qazim Sejdini, aktualisht kryebashkiakë në Korcë e Elbasan.