Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, ndërsa mësohet se janë miratuar katër pikat e rendit të ditës.

Mbledhja zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe u shoqërua me debate mes drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Bardhi.

Shkaku i debateve është hartimi i dokumentit të analizës së humbjes së zgjedhjeve.

Ka qenë drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Edmond Spaho, ai që ka hedhur poshtë përfundimin se qarku që ai drejtoi në zgjedhjet e 25 prillit nuk ka dalë brenda pritshmërive duke theksuar se ka marrë rezultatin më të mirë.

“Aty në raport z.Bardhi thua që Korça nuk ka dalë brenda pritshmërive? Si e shpjegon? Unë kam bërë tjetër analizë. Kam marrë rezultatin më të mirë. Kam pasur objektiv 5 mandate kam fituar 5 mandate”, tha Spaho.

Pavarësisht debateve u miratuan të 4 pikat e rendit të ditës, pra analiza e përmbledhur që do i paraqitet Kuvendit, ndryshimet statusore të Lulzim Bashës, dhe lista e anëtarëve të rinj të Këshillit kombëtar të propozuar nga Basha.