1 tetor 2015 – Përmbyllet misioni italian i fluturimeve me avion të posaçëm të Guardia di Finanza-s dhe Universitetit të Dytë të Napolit për evidentimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në territorin e vendit tonë.
Misioni italian 2015 filloi në muajin qershor dhe përfundoi në 30 shtator, në të cilin u kryen gjithsej 36 misione fluturimi duke zbuluar 1368 parcela në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 99,6% të tyre.
Delegacioni përbëhej nga Kapiten Pilot Giuseppe Casbarra, Inxhinieri ajro-hapësinor i Universitetit të Dytë të Napolit Dr. Maffei, të shoqëruar nga 4 oficerë të ekuipazhit të avionit special, si dhe nga Drejtori i Zyrës Interforza në Tiranë, Dr. Michele Grillo dhe Atasheu ushtarak italian në Tiranë Kol. Emiliano Aresu.
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili priti delegacionin, vuri në pah punën e shkëlqyer dhe bashkëpunimin unik të organizatave policore, që kanë bashkëpunuar krah për krah në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit në veçanti dhe në luftën kundër trafiqeve dhe krimit në përgjithësi.
Çako falënderoi Drejtorin e Policisë Italiane Alessandro Pansa në lidhje me mbështetjen operative dhe Dekanin z. Gambradella për teknologjinë dhe shkencën e ofruar nga Universiteti i Dytë i Napolit si edhe ambasadorin italian Massimo Gaiani për mbështetjen e vazhdueshme.
Drejtori i Policisë së Shtetit Z.ÇAKO siguroi palën italiane për vazhdimësinë dhe forcimin e bashkëpunimit me Policinë Italiane.
Në përfundim të këtij misioni, të dyja palët shkëmbyen dhurata në shenjë respekti reciprok.
/portali DurresLajm/