Ka përfunduar pas 10 orësh marrja në pyetje e kryeministrit Edi Rama në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët.

Në seancën ku nuk munguan përplasjet dhe debatet, Rama nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi për inceneratorët, duke thënë se kryeministri zakonisht firmos shkresa që i vijnë të gatshme.

Sa i takon ministrit Lefter Koka që gjendet pas hekurave, Rama tha se përgjegjësia e tij është personale, dhe nuk lidhet me procedurat e ndjekura nga qeveria për inceneratorët.

Ndërkohë që i akuzuar nga deputetët e opozitës, se i shet të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Rama tha se u del për zot të gjitha gjërave që bën, qoftë edhe gabimeve.

“U dal për zot të gjitha gjërave që bëj dhe gabimeve që bëj. I vë gjoksin çdo ministri sa kohë betejat janë të lidhur me punën e përbashkët nëse secili pas kurrizit tim ka edhe agjendë tjetër nuk është puna ime është punë e tij”, tha mes të tjerave Rama.