Fjalimi i Belind Këlliçit i dha fund protestës së sotme në Tiranë ku për 3 orë qëndruan të bllokuara 5 pika kryesore në kryeqytet. Këlliçi falënderoi njerëzit që iu përgjigjën thirrjes së PD. Ai u shpreh se po fryn një erë pro PD-së dhe kthimit të shtetit në kufijtë e kushtetutshmërisë.

“Duke falenderuar gjithë qytetarët e Tiranës, demokratët, opozitarët, duke falënderuar këdo që ju përgjigj thirrjes së PD për këtë protestë të sotme, duke ju kujtuar qytetarëve se koha kur punohej për të zhbërë opozitën në Shqipëri ka marrë fund. Vetëm javën e kaluar, me dy rezolutat e fundit të internacionales botërore të partive të djathta dhe të qendrës së djathtë, dhe PPE-së e kuptoni që të gjithë që një erë ndryshe po fryn, era pro opozitës, pro PD dhe pro rikthimit të shtetit tonë në kufijtë e kushtetutshmërisë dhe rendin kushtetues”, tha Këlliçi.

Këlliçi tha se protestuesit nuk u tërhoqën pavarësisht dhunës së policisë dhe theksoi se demokratët janë të vendosur në betejën me regjimin.“Të nderuar protestues tentuan sot t’ju dhunonin, ju lagën, por nuk u tërhoqët. Mirënjohje për ju, për qytetarët që në 5 pika në kryeqytet dhanë një mesazh të qartë që qytetarët janë të vendosur në betejë me regjimin e Edi Ramës”, tha Këlliçi.

Këlliçi theksoi se do të vijohet beteja dhe mosbindja civile në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë. Pas fjalimit të tij protestuesit marshuan drejt selisë së PD-së.