Në shtëpinë e Aleksandër Moisiut (Muzeu Etnografik i Durrësit) ka përfunduar puna për rikonstruksionin e plotë të kësaj godine.

Lajmin e jep përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiakja Emiriana Sako. E shoqëruar nga drejtoresha e QK Durrës, Alketa Tragaj, Sako ka parë nga afër punimet e kryera në godinë, ndërsa thekson se do të vijojë puna që Muzeu Etnografik të hapë sa më parë dyert.
“Ndërtesa ju nënshtrua ndërhyrjeve të restaurimit si pjesë e programit #EU4Culture që financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Tashmë që rikonstruksioni infrastrukturor ka përfunduar do të vijojë puna për procesin e muzealizimit në mënyrë që ky muze të jetë sa më shpejt gati për të hapur dyert për vizitorët vendas e të huaj”,– shkruan Sako.
Godina qëndron e mbyllur që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pasi fatkeqësia natyrore shkaktoi dëme të konsiderueshme në godinë 2-katëshe me çardak.





