Në muajin janar 2020 është mbyllur projekti “Be Inclusive”, i cili iu drejtohet fëmijëve me AK të Shkollës Speciale në Durrës, i organizuar nga Qendra Edukative Sportive dhe Kulturore “Juvenilia 2014”, në kuadër të Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Bashkinë Durrës si një nga 12 bashkitë partnere të programit në Shqipëri.

“Projekti për Përfshirjen dhe Integrimin Social të Personave me Aftësi të Kufizuara” ka një vlefshmëri të jashtëzakonshme në lidhje me përfshirjen sociale nëpërmjet praktikës sportive, sepse një pjesë e këtyre fëmijëve do të bëhet pjesë e aktiviteteve sportive me fëmijët e tjerë, aktivitete të cilat zhvillohen pranë selisë së shoqatës “Juvenilia 2014”.

Kujtojmë se në këtë projekt që zgjati 8 muaj, janë përfshirë dhe ekspertët e sportit, psikologë dhe fizioterapistë, që së bashku me stafin e shkollës dhe koordinatoren e projektit Iris Dhamo, kanë dhënë kontribut për arritjen e rezultateve të pritura në këto 8 muaj.

Francesco Vitobello, menaxheri i projektit, ndan disa detaje në lidhje me përvojën që pati përgjatë këtyre muajve në këto aktivitete.

“Ka qene një eksperiencë fantastike të isha në kontakt me fëmijet specialë që transmetojnë shumë emocione, na është dashur të thyejmë barrierat e tyre dhe të hyjmë në zemrat e tyre përpara se të fillonim rrugëtimin e stërvitjes fizike. Të shohësh ata fëmijë të përmirësohen gjatë takimeve që kemi bërë është një motiv krenarie, por mbi të gjitha të lexosh në sytë e tyre lumturinë për ato orë që kemi kaluar bashkë duke luajtur me top”.

Më tej, Vitobello bën dhe falënderimet nga ana e tij, për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij projekti.

“Është detyrim të falënderoj të gjithë personat dhe institucionet që kanë lejuar gjithë këtë. Do të doja të falënderoja personalisht drejtoreshën e shkollës që na ka pritur dhe vënë në dispozicion mjediset e shkollës për të zhvilluar aktivitetet. Falënderoj stafin e shkollës që ka bashkëpunuar me ne duke na vënë në dispizicion kompetencat e tyre. Falënderoj ekspertët e projektit që me profesionalizmin e tyre kanë garantuar një shërbim të niveleve të larta për fëmijët me AK. Së fundi, doja të falënderoja insitucionet, UNDP dhe Bashkinë Durrës.”

Në përfundim të aktiviteteve sportive, u mbajt një tryezë e rrumbullakët midis të gjithë atyre që morën pjesë në projektin gjithëpërfshirës për të prezantuar rezultatet e marra.

Papa Francesco: Sporti është burim lumturie, të bëjmë më humane botën

Duke u ndalur te rëndësia që ka sporti në jetën e gjithësecilit, citojmë fjalët e Atit të Shenjtë,  Papa Francesco: “Sporti është një gjuhë universale, që përqafon të gjithë popujt dhe jep kontribut për të kaluar konfliktet dhe për të bashkuar popujt. Sporti është edhe një burim lumturie dhe emocionesh të mëdha, një shkollë ku ndërthuren virtytet për rritjen njerëzore dhe sociale të personave dhe komunitetit. I uroj të gjithëve që të vihen në lojë në jetë ashtu si në sport.”

“Është e nevojshme jo vetëm të mbrojmë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, por të bëjmë më humane botën, duke eliminuar çdo gjë që ndalon një qytetari të plotë, pengesat e paragjykimeve, dhe duke favorizuar aksesibilitetin në vendet dhe cilësinë e jetës, që mban në konsideratë të gjitha dimensionet e njeriut”- Papa Francesco.