BRUKSEL– Ka përfunduar takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç i cili zhvillua në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, në Bruksel rreth orës 18:30.
Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të të dyja shteteve dhe është vlerësuar gjerësisht si një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Përpara këtij takimi, baronesha Ashton ka zhvilluar takime të ndara me presidentin serb, Nikoliç dhe më pas me presidenten e Kosovës, Jahjagën.
Presidentja e Kosovës ka thënë se takimi i saj me homologun serb paraqet “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”. Ndryshe nga Jahjaga, Nikoliç nuk ka bërë komente për mediat lidhur me takimin.
Jahjaga: Takimi me Nikoliç, konstruktiv
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit të parë me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç e ka quajtur atë një takim konstruktiv, që synon normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
“Ishte takimi i parë në nivel presidentësh të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë si shtete te pavarura e sovrane, të pranuara si subjekte ndërkombëtare. Takimi u zhvillua në atmosferë konstruktive dhe i dhamë mbështetje të përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve me shtete e tona, që është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve tanë, në funksion të paqes dhe stabilizimit në rajon dhe rrugës drejt BE-së. I dhamë mbështetje procesit të dialogut të kryeministrave që ka për qëllim gjetjen e zgjidhjeve në funksion të normalizimit”, u shpreh Jahjaga në një intervistë për RTK-në.
Jahjaga ka këmbëngulur sërish se për veriun e Kosovës nuk do të ketë asnjë status tjetër, veç atij që përcaktohet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Presidentja kosovare ka thënë se nuk ka alternativë tjetër, dhe se propozimi për ndonjë autonomi eventuale për veriun do të bënte që serbët nga pjesët tjera të Kosovës të shpërnguleshin për në veri.
Nga ana e saj, presidentja e Kosovës ka thënë se do të ketë vend edhe për takime të tjera me homologun e saj serb.
Nikoliç: S’ka vend për takime të tjera nëse flitet për pavarësi të Kosovës
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se i ka thënë presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga se dialogu nuk mund të çojë në një zgjidhje e përbashkët po qe se ajo vazhdon të këmbëngulë në pavarësinë e Kosovës.
“I kam thënë se po që se këmbëngulë se Kosova është shtet i pavarur, dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, e cila do të mundësonte jetë më të mirë dhe anëtarësim në BE”, i ka thënë Nikolliç televizionit serb B92 në Bruksel.
Ai ka shtuar se nga rrëfimet e librave për të drejtat e njeriut dhe për jetë më të mirë në anëtarësim në BE, Jahjaga ka insistuar me ngulm se dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë sa më mirë dhe të harrojnë konfliktet e së kaluarës.
“Takimi si njoftim ka qenë i dobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, – u shpreh Nikoliç.
Ai ka shtuar se takimi i sotëm nuk ka qenë i motivuar me dëshirën e Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por me dëshirën e Serbisë që të qetësohen gjakrat.
“Dëshira e Serbisë është paqja në Ballkan”, ka thënë Nikoliç. Sipas tij, pa Serbinë nuk ka Kosovë të pavarur dhe as vend të Kosovës në OKB.
“Gjëja e fundit në jetën time do të ishte që Kosova të niset rrugës së pavarësisë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të ketë takime të reja me Jahjagën, Nikoliç ka thënë se fillimisht duhet gjetur tema të përbashkëta.
“Nëse diçka duhet bërë në mënyrë operative, do të duhet të gjejmë tema të përbashkëta. Nëse duam të përsërisim qëndrimet, atëherë mund të ketë takime. Edhe Koreja Veriore dhe Jugore me vite të tëra janë takuar për të thënë ‘mirëdita’, por kjo nuk është zgjidhje. Do ta humbasim kohën e çmuar, dhe bota normale nuk mund të na presë gjatë”, ka thënë Nikoliç për mediat serbe.