Ka përfunduar takimi i kryedemokratit Basha me drejtuesit politikë për zgjedhjet e 25 prillit.

Bëhet me dije se në fokus kanë qenë zgjedhjet, teksa porosia e Lulzim Bashës ka qenë që të gjithë përfaqësuesit të jenë në terren.

Kujtojmë që Partia Demokratike i ka prezantuar të gjithë drejtuesit e qarqeve si në Tiranë por edhe në rrethe, teksa ka prezantuar gjithashtu edhe programet me të cilët do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ekipi politik tani është i plotë. Të gjithë të jenë në terren. Programi që po shpalosim t’u thjeshtëzohet qytetarëve. Të flasim me qytetarët në zona, të evidentohet ekipi ynë. Shqiptarët ta kuptojnë se ne kemi një alternative, ne jemi ndryshe” ishin disa nga porositë e Bashës.

Në të njëjtën kohë, Basha shprehu bindjen se PD dhe Opozita e Bashkuar do t’i fitojnë zgjedhjet.

“Të gjitha problemet, i njohim prej kohësh. Pushteti qendror, pushteti lokal, bashkimi i kontingjentit kriminal, investimi i parasë së pisët, presionet ndaj njerëzve. Por këtu ku jemi sot, të gjitha shanset janë për një fitore të thellë të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar.

Këto zgjedhje, siç tregojnë të gjithë indikatorët, objektivat janë në dorën tonë. Pavarësisht të gjithçkaje tjetër duket sikur është në dorën e kundërshtarit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve varet krejtësisht nga ne dhe nga puna jonë.

Që do të thotë, që me një përkushtim maksimal me dhe një angazhimi total të burimeve njerëzore, të strukturave, të influencuesve tanë, simpatizantëve, të gjithë grupeve, pa pikë diskutimi 25 prilli është dita e fitores tonë”, është shprehur ndër të tjera kreu i PD-së Lulzim Basha me drejtuesit e qarqeve.