ANGLI, 16 prill 2013 – Përgatitjet për funeralin e ish kryeministres britanike Margaret Thatcher janë në përfundim e sipër. Ceremonia do të zhvillohet në katedralen e Shën Paulit dhe në të janë të ftuar të marrin pjesë rreth 2 mijë personalitete botërore.

Thatcher ka qenë e para dhe e vetmja grua kryeministre në Britani, e cila ka spikatur për drejtimin e saj autoritar. Figura e saj mbetet frymëzuese për gratë të cilat duan të ndjekin shembullin e Margaret Thatcherit për mënyrën se si arriti të jetë në krye të politikës Britanike.

Në maj të vitit 1979 Margaret Thatcher fitoi zgjedhjet duke u shpallur e para grua kryeministre e Britanisë. Ajo drejtoi vendin për 11 vite, gjatë të cilave theu forcën e sindikatave, siguroi fitoren në luftën për ishujt Falklande dhe kreu privatizimin e kompanive shtetërore të shërbimeve komunale në kohë rekord.

Si gruaja e parë kryeministre e Britanisë është e natyrshme të mendohet se figura e saj ishte frymëzuese për një brez vajzash e grash që donin të ndiqnin shembullin e saj.

Por ndonëse numri i grave që janë pjesë e parlamentit britanik është rritur që nga viti 1979, askush nuk ka arritur të ketë suksesin e zonjës Thatcher për t’u zgjedhur sërish në krye të qeverisë britanike.