Teuta vijoi me entuziazëm stërvitjen e radhës në prag të ndeshjes të kësaj të diele me Dinamon. Trajneri Bledar Hodo i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion, madje dhe Artan Jazxhi, që mungoi në Shkodër për arsye dëmtimi. Ekipit i është bashkuar edhe Tafas. I vetmi futbollist që u përgatit i veçuar ishte Torraj, pasi po vijon fazën e riaftësimit. Për trajnerin Hodo është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje, që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat. Për këtë arsye, tekniku i bluve fillimisht zhvilloi një bisedë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin. Hodo e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve.

Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të sfidës. Teuta e ka fokusuar totalisht vëmendjen te ndeshja ndaj Dinamos, që do të luhet në “Elbasan Arena”. Trajneri i Teutës do të ketë grupin e plotë për sfidën kundër “nëndetëses”. Pasdite, Blutë kanë kryer seancën e radhës stërvitore në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, duke i vijuar përgatitjet anti-Dinamo. Për më shumë se 80 minuta, futbollistët janë ndalur në aspektin e përgatitjes tekniko-taktike, më pas në veprimet mbrojtëse me ushtrime të veçanta, dhe më tej në situacione të ndryshme në lojë me grupe të përcaktuara nga trajneri, por që ndërroheshin herë pas here.