DURRËS, 11 mars 2015 – Brenda pak orësh në qarkun e Durrësit kanë ndodhur tre aksidente automobilistike, ku ka gjetur vdekjen një tiranas, është plagosur rëndë një banor i fshatit Rreth (Xhafzotaj) dhe është lënduar, por jashtë rrezikut për jetën një 6-vjeçare nga Durrësi.
Vajza përplas kalimtarin
Drejtoria e policisë së qarkut njofton se të martën, më 10 mars 2015, ora 21.30 u arrestua në flagrancë Majlinda Lala 19 vjeçe, banuese në fshatin Rreth së komunës së Xhafzotajt. Blutë sqarojnë se rreth orës 16.00, në Katër Rrugët e Shijakut, duke drejtuar një “Benz” me targë AA 702 II, e reja Lala ka aksidentuar bashkëfshatarin këmbësor G. V., 33 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë.
Shoferi i pirë, vdes pasagjeri
Kurse të mërkurën, më 11 mars 2015 ora 1.40 pas mesnatës, u bë arrestimi në flagrancë i 44-vjeçarit Dritan Lusha, banues në Tiranë. Sipas organeve të rendit, rreth orës 21.20 në Fushë-Krujë, duke drejtuar një “Citroen” me targë AA 082 KV, nën efektin e alkoolit deri 0.5 për mijë, Lusha ka humbur kontrollin. Vetura dalë nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një banese. Ky aksident ka shkaktuar vdekjen në vend të pasagjerit, Bert Kushi 56 vjeç, banues në Tiranë. Është dëmtuar edhe drejtuesi i mjetit, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën, por që pastaj do të përfundojë në qeli.
Aksidenti i fëmijës
Pasditen e së martës, në lagjen nr. 4 Durrës, duke drejtuar një BMË me targë AA 148 AC, 22-vjeçari ka humbur kontrollin, duke goditur kështu trafikndarësen. Jo vetëm kaq, më pas ka goditur një “Citroen” me targë AA 966 JH me drejtuese 29-vjeçaren E. B, 29 vjeç, banuese në Durrës. Gjithë kjo rrëmujë ka sjellë lëndimin e 6-vjeçares A. B., e cila ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





