Turqi, 30 mars 2014 – Rreth 53 milionë turq janë thirrur sot në kutitë e votimit për të zgjedhur drejtuesit vendorë, një proces ky që mund të jetë deciziv për të ardhmen politike të kryeministrit Erdogan, qeverisja e të cilit rrezikohet nga dalja në dritë e disa skandaleve të korrupsionit dhe frika e publikimit të disa videove intime.
Procesi është shoqëruar me incidente të rënda në disa komuna, ku përplasja mes kandidatëve dhe mbështetësve respektivë ka shkaktuar tetë të vdekur dhe të paktën 20 të plagosur.
Dy persona janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur në një konflikt mes mbështetësve të kandidatëve për kryetarë bashkie në Kirikhan (Hatay).
Katër të tjerë janë vrarë në Hilvan, në afërsi të Sanliufra, gjatë një përleshjeje mes kandidatëve të klaneve rivale. Në fshatin Ciftlik, po në provincën e Sanliufras, përplasjet mes dy familjeve me bindje të kundërta politike u pasuan nga nëntë të plagosur.
Një tjetër “incident”, që në fakt nga protagonistet shihet si formë proteste, ishte ai i ndodhur në qendrën e votimit në Uskudar, në pjesën aziatike të Stambollin, ku ka shkuar për të votuar kryeministri Erdogan.
Dy aktiviste të lëvizjes “FEMEN” kanë protestuar topless kundër kreut të qeverisë turke. “Erdogan ik” ishte parulla e shkruar në gjoksin e tyre, ndërsa hipën në tavolinat e qendrës së votimit. Dy vajzat u ndaluan nga policia.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





