Një ish-ushtar tajlandez vrau bashkëshorten e tij dhe tre të tjerë përpara se t’i jepte fund jetës, tha policia për BBC.
Chaturong Suksuk, 29 vjeç dhe Kanchana Pachunthuek, 44 vjeç, u martuan të shtunën në Tajlandën verilindore.
Sipas raportimeve, ai u largua befas nga dasma dhe u kthye me armë, duke qëlluar gruan e tij, nënën e tij, 62 vjeçe dhe motrën, 38 vjeçe.
Plumbat qëlluan edhe dy prej të ftuarve, të cilët u dërguan me urgjencë në spital, por një prej tyre ndërroi jetë.
Sipas policisë vendase, Chaturong ishte mjaft i dehur në momentin kur kreu krimet makabre, por motivi i tij mbetet i paqartë. Ai kishte blerë armën dhe municionet legalisht vitin e kaluar, shtuan ata.
Sipas disa të ftuarve, çifti kanë debatuar me njëri-tjetrin gjatë festës. Chaturong, raportohet se kishte problem hendekun e moshës midis tij dhe Kanchana.
Chaturong dhe Kanchana kishin jetuar së bashku për tre vjet para se të martoheshin, sipas medieve tajlandeze.
Dhëndri kishte fituar një medalje argjendi në not në “Lojërat Asean Para” në Indonezi vitin e kaluar. Ai gjithashtu besohej të ishte në listën e atletëve që do të konkurronin në Lojërat Botërore të Sportit të Aftësive në Tajlandë muajin e ardhshëm.
29-vjeçari kishte humbur këmbën e djathtë ndërsa ishte në detyrë me forcën paraushtarake të këmbësorisë së lehtë, e cila patrullon kufijtë e Tajlandës.