Itali, 3 maj 2014 – Tre tifozë të ekipit të Napolit kanë mbetur të plagosur nga të shtëna me armë zjarri në rrethana që mbeten ende për t’u sqaruar. Një prej tifozëve napoletanë është goditur me plumb në gjoks dhe është në gjendje mjaft të rëndë në spital.

Përleshjet mes tifozëve janë regjistruar afër stadiumit “Olimpico” të Romës, ku zhvillohet mbrëmjen e sotme ndeshja midis Napolit dhe Fiorentinës, nga ku do të dalë fituesja e Kupës së Italisë.

Për të rikthyer situatën në normalitet kanë ndërhyrë forcat e rendit. Ndërkohë sipas mediave italiane, lajmi se një prej efektivëve të policisë ka mbetur i plagosur nuk është i vërtetë.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/