Nga qyteti i Durrësit ku Presidenti Ilir Meta mori pjesë në fushatën e dhurimit të gjakut nga Myftinia, komentoi edhe çështjet e operacionit kundër Ndragheta-s në Itali ku përmendej dhe Shqipëria dhe ngriheshin dyshime për pastrim parash.

Meta tha se gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë duhet të ndiqet nga institucionet tona.

“Pa asnjë diskutim që problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare që bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve të caktuara në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet të cilat i referohen zhvillimit më të fundit në Itali dhe të drejtësisë italiane për gjithçka që kanë të bëjnë me Shqipërinë padyshim që duhet të ndiqen menjëherë dhe nga institucionet tona”, tha Meta.

Nga ana tjeter, Kreu i Shtetit nuk ka dashur të komentojë vendimin e qeverisë shqiptare, konkretisht Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për dëbimin e diplomatit rus nga Shqipëria dhe shpalljen e tij “non grata”.

“Nuk kam asnjë koment, besoj se Ministria ka pasur arsyet dhe argumentet e saj për të bërë këtë veprim”, tha shkurt Meta.