Ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka inspetuar punimet në godinën e Pediatrisë së qytetit në Durrës.

“Nuk ndalet kantieri i shëndetësisë, për të përmirësuar standardin e ofrimit të shërbimit shëndetësor, afër vendbanimit,“-shkruan Manastirliu.

Por teksa përmendte deputetët e Durrësit: Milva Ekonomi, Klodiana Spahiu, Fidel Ylli, Roland Xhelilaj dhe kandidaten e PS për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakon, një mungonte. 

Mungonte deputeti Ilir Ndraxhi, i cili edhe pse shoqëronte ministren, kjo e fundit i bëri “dalje” edhe pse dukej qartë në çdo foto. 

Postimi i plotë:

Nuk ndalet kantieri #shëndetësisë, për të përmirësuar standardin e ofrimit të shërbimit shëndetësor, afër vendbanimit.
 Me deputetët e Durrësit Milva Ekonomi, Klodiana Spahiu, Fidel Ylli, Roland Xhelilaj dhe kandidaten e #PS për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sako inspektuam punimet për rehabilitimin e #Pediatrisë  një investim strategjik për shëndetësinë e këtij rajoni
#PunaPërShëndetësinëQëDuam

Kujtojmë se vetëm disa ditë më parë, prestigjiozia gjermane “Bild” ka publikuar audiopërgjime të reja lidhur me të ashtuquajturën “Dosja 339/1″një nga çështjet, hetimi i të cilës bëri që PD ta ketë si çështje kryesore në betejën për rrëzimin e qeverisë. Në përgjime dëgjohet Astrit Avdylaj, i cili përfshihet vetë në fushatën elektorale të PS. Avdylaj kërkon që miku i tij, Elton Arbana të jetë pjesë e listës së deputetëve në Durrës, dhe vë në dukje mbështetjen që familja Avdyli ka për deputetin Ilir Ndraxhi. Në bisedat e publikuara Astrit Avdyli zotohet se rezultati i Partisë Socialiste në Durrës do të jetë spektakolar.