Drejtori i Hekurudhave në Durrës, Ani Dyrmishi është thirrur Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “339”, një pjesë e përgjimeve të së cilës janë publikuar nga gazeta gjermane “Bild”.
Ani Dyrmishi ka dalë në përgjime duke komunikuar me Astrit Avdylajn, kreun e bandës së Shijakut në kohën që ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit.
Pak ditë më parë, Prokuroria mori në pyetje edhe deputetin socialist Ilir Ndraxhi, vëllai i të cilit ka dalë në përgjime duke komunikuar me Astrit Avdylajn.
Në dëshminë 2 orëshe para hetuesve, deputeti ka dhënë shpjegime lidhur me episodin ku kreu i grupit kriminal të Shijakut i kishte kërkuar kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, të ndikonte te Kryeministri që Ilir Ndraxhi të vendosej në listën e kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.





